Basketboll

RASHICA FLET PËR PËRGATITJET DHE AMBICIET E PRISHTINËS SIVJET

Prishtinë(AsistiOnline) – Tekniku nga kryeqyteti, Andin Rashica do të jetë kryetrajner i Sigal Prishtinës përgjatë këtij edicioni në basketbollin e Kosovës.

30 vjeçarit që prej vitesh e kryen rolin e trajnerit në basketboll, sivjet i’u është besuar posti i kryetrajnerit nga drejtuesit e skuadrës më të trofeshme kosovare, Sigal Prishtina e cila forcat e saj sivjet, do ti shtrijë në besueshmërinë e plotë vendore.

Në një bisedë për AsistiOnline.com, trajneri Andin Rashica ka folur për ekipin që do ta drejtojë sivjet, përgatitjet, se sa është i kënaqur me punën që po bëhet në skuadër, para nisjes së stinorit të ri, rosterin e ekipit dhe ndryshimet eventuale në të, por edhe për kundërshtarët dhe ndikimin e pandemisë në basketbollin tonë.

Përgatitjet i kemi nisur tash e sa kohë, madje po hyjmë në javën e tretë të tyre. Jam shumë i kënaqur me punën që po bëhet në ekip edhe pse dorën në zemër koha për përgatitje sivjet ka qenë shumë e shkurtër. Lojtarët po punojnë maksimalisht, lojtarët me përvojë si, Edo, Fisi, Altini dhe Ariani, po i prijnë një ekipi me shumë potencial, jam i befasur në veçanti me punën, angazhimin dhe diciplinën e Atik Koshit e Muhamedali Janjevës, pa i lënë anash edhe lojtarët e tjerë që po e japin maksimumin në përgatitje”, thotë fillimisht Rashica.

Por cili është rosteri final i kryeqytetasve, deri më tani dhe a pritet të ketë ndryshime në vijim, përgjigjet timonieri i prishtinasve në këtë sezon.

Momentalisht jemi me të gjithë lojtarë vendorë, jam shumë i gëzuar për këtë fakt, ngase 90% e lojtarëve janë nga kryeqyteti dhe kjo më gëzon tejmase, duhet ti shtyejmë të rinjët dhe ti kalitim për të ardhmen. Sa i përket përbërjes së këtij stinori, ne si shtab teknik jemi në vëzhgim, vetëm se i kemi parë pikat ku jemi duke stagnuar dhe në to sigurisht që do të ketë ndërhyrje dhe përforcime, sepse Prishtina gjithmonë i synon vetëm trofetë dhe këtë e dinë të gjithë”, ka shtuar tutje, trajneri prishtinas.

Krejt në fund, Rashica foli edhe për konkurencën me skuadrat e tjera sivjet, por edhe ndikimin e pandemisë në basketbollin e Kosovës në përgjithësi.

Pandemia ka ndikuar negativisht në përgjithësi në basketbollin tonë, sidomos tek skuadrat të cilat janë prekur nga telashet financiare. Sa ju përket kundërshtarëve, nuk e di ende potencialin e tyre, sepse ende nuk i kam parë me kapacitetet e tyre në teren, por që realisht  kjo nuk më intereson edhe shumë, sepse unë e përgadis ekipin tim dhe në momentin që hyjmë në parket, ne japim maksimumi e kur bëhet një gjë e tillë, sigurisht që sukseset nuk mungojnë”, përfundoi Andin Rashica.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.