Basketboll

ME FITORE TË THELLË, TREPÇA MBETET NË SUPERLIGË

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e ka fituar edhe ndeshjen e dytë të ”Play Out”-it, ndaj As Prishtinës dhe kështu e ka konfirmuar vendin si anëtare e Superligës së Kosovës në Basketboll.

”Xehtarët” kanë mposhtur si vendas edhe në ndeshjen e dytë, skuadrën e As Prishtinës madje kësaj radhe me rezultat të thellë 115-47 dhe me plotë 68 pikë diferencë.

Sa i përket rrjedhës së ndeshjes sonte, lojtarët e Trepçës nga aksioni i parë i ndeshjes dhe deri në fund e dominuan ndeshjen(33-8, 27-19, 19-11, 36-9), duke mos i dhënë shance për fitore kundërshtarit për asnjë moment dhe në fund, me plotë meritë i’u gëzuan fitores e cila i konfirmon si ekipi i 8-të, që do garojë në elitën e basketbollit kosovar edhe për një sezon.

6 lojtarë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Trepçës sonte: Mojeed Ewuosho(24), Devin Haygood(19), Shpat Syla e Anes Gashi(14), Rinol Gashi(12) dhe Valdrin Haxhiu(11).

Tek As Prishtina vetëm dy lojtarë, arritën pikë dyshifrore: Don Polloshka me 21 dhe Dardan Sejdiu që realizoi double-double, 16 pikë e 14 kërcime.

Trepça me këtë fitore e siguron mbetjen në Superligë për stinorin 2020/21, ndërsa As Prishtina mbetet në Ligën e parë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.