Basketboll

RAHOVECI GJYSMËFINALISTI I PARË I SUPERKUPËS SË KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Rahovecit e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, stinorin e ri në basketbollin e Kosovës.

“Vreshtarët” e kanë mposhtur ekipin e Trepçës në çerekfinale të Kupës së Kosovës me rezultat, 78-63, duke u kualifikuar në gjysmëfinale të Superkupës.

Ndeshja nisi me tempo të plogësht nga të dyja skuadrat, që nuk arrinin të shkëputeshin në rezultat, por në fund të periodës fillestare, Rahoveci ishte më i vëmendshëm dhe e fitoi atë ngushtë, 18-15. E baraspeshuar u luajt edhe në çerekun e dytë me Rahovecin që e shfrytëzoi fundin për ta shtuar avantazhin dhe kështu ”vreshtarët” e mbyllën pjesën e parë me 8 pikë dallim(39-31).

Në pjesën e dytë, Trepça sikurse u dorëzua dhe ndjekte avantazhin e Rahovecit, por jo të afrohej, kjo bëri që fillimisht çereku i tretë të mbyllet, 56-42. Ndërsa në periodën e fundit, ekipi i drejtuar nga Bujar Loci vetëm sa e thelloi rezultatin, duke e konfirmuar nisjen e sezonit me fitore shumë të rëndësishme, 78-63.

Katër lojtarë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Rahovecit sonte, Marvin Jones me 21 pikë, Isaiah Traylor me 18 pikë, Alban Veseli arriti double-double, 13 pikë e 10 kërcime, si dhe qendra amerikane, Amadi Ikpeze që poashtu realizoi double-double, 13 pikë e 17 kërcime.

Tek Trepça s’mjaftuan për fitore, Burim Zekiqi e Mojeed Ewuosho me nga 15 pikë e as Besnik Azemi me 12 sosh.

Me këtë fitore, Rahoveci kualifikohet në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës, ku e pret fituesin e duelit, Vëllaznimi-Prishtina.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.