Basketboll

BAJRA: JEMI TË MOTIVUAR, SYNOJMË TROFEUN

Sigal Prishtina dhe Bashkimi do të ballafaqohen sot në Pejë në finalen e Reload Superkupës së Kosovës në basketboll.

Skuadra e Bashkimit udhëton në përballen e sotme për të triumfuar dhe që ta fitojë këtë trofe.

Prizrenasit rrugës deri në finale kanë eleminuar Pejën dhe Ponte Prizrenin.

Trajneri i Bashkimit, Illmen Bajra, thotë se kanë qenë të motivuar deri më tani dhe do të japin maksimumin në finale. “Jemi përgatitur mjaftueshëm për dy ndeshjet e para në garën e Superkupës, ku basketbollistët kanë qenë të motivuar për të dëshmuar veten dhe potencialin, në këto dy ndeshje, andaj edhe rezultati nuk ka munguar. Finales do t’i qasemi me seriozitetin më të madh. Asnjë skuadër në këtë Superkupë nuk ka qenë favorite, andaj besoj se, edhe finalja do të jetë kështu. Prishtina ka përvojën e finalave, prandaj do të japim maksimumin për këtë ndeshje edhe pse nuk do të jetë lehtë”, theksoi Bajra për faqen zyrtare të FBK-së.

Ndeshja Sigal Prishtina-Bashkimi zhvillohet sot nga ora 17:00 në ”Karagaçi” të Pejës dhe transmetohet direkt në Art Sport 1 dhe Klan Kosova.

Komentet janë të mbyllura.