XHIRO E DYTË E SUPERLIGËS, LUHET GJATË KËTIJ VIKENDI
Java e dytë në Superligën e Kosovës në basketboll pritet të zhvillohet gjatë vikendit që po vjen.
Ndeshja e parë do të jetë mes Vëllaznimit dhe Ponte Prizrenit, dy skuadra që shpresojnë të shënojnë fitoren e parë, pasi pësuan humbje në javën e parë. Skuadra kuqezi kishte pësuar nga Rahoveci, derisa prizrenasit nga Golden Eagle Ylli.
Takim shumë interesant shihet ai në mes Pejës dhe Rahovecit, dy skuadra që e nisën stinorin me fitore. Verdhezinjtë shpresojnë në fitoren e dytë radhazi, pasi mundën Sigal Prishtinën, kurse Vreshtarët shënuan fitore ndaj Vëllaznimit. Përballjet në edicionin e kaluar mes këtyre dy skuadrave ishin mjaft interesante dhe kështu pritet edhe të shtunën mbrëma.
Përballje mjaft interesante vlerësohet mes Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit, dy skuadra që kanë ambicie të larta dhe e filluan stinorin në Superligë me fitore, duke shpresuar se do të vazhdojnë me fitore.
Takimi i fundit i kësaj xhiro është ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Bardhekaltrit fituan Superkupën një javë më parë, por në xhiron e parë pësuan nga Peja, derisa Trepça që shpëtoi përmes Play-Out, pësoi humbje minimale nga Bashkimi.
Superliga – Java 2
E shtunë
17:00 Vëllaznimi – Ponte Prizreni
19:00 Peja – Rahoveci
E diel
17:00 Golden Eagle Ylli – Bashkimi
19:00 Sigal Prishtina – Trepça
Komentet janë të mbyllura.