Basketboll

YLLI MPOSHT BASHKIMIN, VAZHDON NDJEKJEN E KREUT

Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli e ka fituar edhe përballjen e dytë në stinorin e ri të Superligës së Kosovës.

Therandasit kanë triumfuar si vendas, në përballjen ndaj Bashkimit me rezultat të përgjithshëm, 91-77.

Skuadra e Yllit e nisi shumë më mirë ndeshjen ndaj Bashkimit, duke fituar çerekun e parë bindshëm, 25-12. Por që në çerekun e dytë, Bashkimi hyri në lojë me çasje më ndryshe dhe arriti ta fitojë këtë periodë(21-31), përderisa pjesa e parë u mbyll maksimalisht ngushtë me avantazhin e Yllit, 46-43.

Në pjesën e dytë, skuadrat luajtën më baraspeshuar dhe me një dominim të lehtë të Yllit, që e fitoi këtë periudhë ngushtë(22-19). Ndërsa fitorja e vendasve nga Theranda u vulos në çerekun e fundit, kur ata shënuan 23 pikë e pranuan 15 sosh dhe në fund, fitorja me meritë ju takoi atyre me rezultat të përgjithshëm, 91-77.

Katër lojtarë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Yllit sonte, Valon Bunjaku me 22 pikë, 13 kërcime, 5 asiste dhe 3 vjedhje topash, Samir Zekiqi me 20 pikë, Cody John me 19 pikë, 7 kërcime, 6 asiste e 3 vjedhje topash, si dhe Daniel Regis me 10 pikë e 5 kërcime.

Tek Bashkimi s’mjaftuan për fitore, Musab Mala e Sean Hoehn me nga 10 pikë, Shaq Carter me 16 pikë e 12 kërcime dhe Qëndrim Biraj me 15 pikë të gjitha të realizuara nga vija për 3 pikë.

Pas xhiros së dytë të Superligës, Ylli vazhdon të ndjek kreun e renditjes tabelare, së bashku me Pejën që kanë nga 4 pikë. Në xhiron e ardhshme, Ylli udhëton tek Trepça e Bashkimi e pret Vëllaznimin.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.