MBYLLET XHIRO E DYTË E SUPERLIGËS, DY SKUADRA PA HUMBJE
Prishtinë(AsistiOnline) – Gjatë vikendit që po e lëmë pas, është zhvilluar edhe xhiro e dytë e stinorit të ri në Superligën e Kosovës në Basketboll.
Rezultate tejet interesante janë arritur në këtë xhiro të dytë të Superligës, ku tre fitore kanë arritur skuadrat vendase e vetëm një skuadër ka fituar si mysafire.
Në dy ndeshjet e zhvilluara të shtunën, Ponte Prizreni mposhti në udhëtim Vëllaznimin duke e arritur fitoren e parë të stinorit, karshi një disfate. Ndërsa Vëllaznimi mbeti pa fitore, duke e pësuar edhe disfatën e dytë pas inkuadrimit në Superligë.
Po të shtunën, fitore në derbin ndaj Rahovecit, arriti skuadra e Pejës që mposhti thellë ”vreshtarët” me rezultat, 84-64. Duke vazhduar me bilanc perfekt 2-2, ndërsa Rahoveci pësoi humbjen e parë sezonale dhe tash ka një fitore e një humbje.
Ndërsa të dielën, Ylli i Therandës triumfoi ndaj Bashkimit të Prizrenit me shifrat, 91-77, duke e vazhduar ecurinë pozitive pa humbje, por që i’a shkaktoi Bashkimit humbjen e parë në stinorin e ri.
Dhe në ndeshjen e fundit të xhiros, Sigal Prishtina e arriti fitoren e parë sezonale, duke mposhtur Trepçën në kryeqytet më lehtë se që është pritur, 94-76. Me ‘xehtarët’ që pësuan edhe disfatën e dytë me radhë në stinorin e ri.
Pas xhiros së dytë të Superligës, renditja tabelare duket kështu
1.Peja
2.Ylli
3.Rahoveci
4. Ponte Prizreni
5.Prishtina
6.Bashkimi
7.Trepça
8.Vëllaznimi
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.