Basketboll

SHQIPTARËT NËPËR BOTË, TASHMË JANË NË AKSION ME SKUADRAT E TYRE

Prishtinë(AsistiOnline) – Stinori i ri 2020/2021 në shumicën e ligave evropiane dhe botërore të basketbollit, tashmë ka nisur dhe po zhvillohet normalisht përkundër pandemisë COVID-19.
Nëpër ligat e ndryshme evropiane dhe botërore, luajnë edhe një numër i madh lojtarësh me prejardhje shqiptare.
AsistiOnline.com ju sjellë ekskluzivisht një përmbledhje të paraqitjeve të lojtarëve kosovarë apo me prejardhje shqiptare nëpër ligat e huaja evropiane, gjatë këtij vikendi që shkoi.
Performancën më të mirë nga lojtarët kosovarë që luajnë nëpër ligat e huaja, këtë vikend e pati, basketbollisti i rregullt i Përfaqësueses së Kosovës prej vitesh, Erjon Kastrati i cili përkundër humbjes së ekipit të tij, Koper Primorska në ABA Ligë, personalisht pati paraqitje solide me 12 pikë e 3 kërcime.

Edhe basketbollisti tjetër i Përfaqësueses së Kosovës, Gëzim Morina pati një paraqitje të mirë në fitoren e skuadrës së tij në elitën sllovene. Për vetëm 10 minuta lojë, Morina shënoi 10 pikë dhe kapi 3 topa në tabelë.

Paraqitje të mirë në këtë xhiro, arriti edhe basketbollisi me prejardhje nga Prizreni, Jan Palokaj që me skuadrën e Zarës në elitën kroate, arritën fitoren e 6-të sezonale dhe Palokaj në këtë duel shënoi 10 pikë, asistoi 3 herë dhe kërceu nën-tabelë 2 herë.

Erxhan Osmani me skuadrën e Beshiktashit në Superligën e Turqisë pësuan edhe humbjen e radhës dhe radhiten si të fundit në tabelë, por sa i përket aspektit individual, Osmani në këtë ndeshje arriti të realizojë 8 pikë, 4 kërcime e 1 asist.

Një basketbollist tjetër që luan në elitën turke, është edhe Kenan Spahiu me Fenerbahçen që në këtë vikend, fituan ngushtë ndaj Tofashit me rezultat, 103-104. Ndërsa në këtë ndeshje, Kenani kontribuoi me 5 pikë.
Basketbollisti tjetër me prejardhje nga Kosova, Edon Maxhuni që sivjet po luan me skuadrën estoneze ”Parnu” këtë vikend, nuk u paraqit fare, për shkak të një lëndimi të lehtë që e ka pësuar.
Në anën tjetër, qendra-gjigante e Përfaqësueses së Kosovës, Lis Shoshi sivjet ka mbetur ende pa ekip, që nga lëndimi i tij në stinorin e shkuar, ku nuk e zhvilloi asnjë ndeshje zyrtare me skuadrën gjermane, ”S.Olivier Wurzburg”.
Kjo listë e botuar ekskluzivisht nga AsistiOnline.com vlen vetëm për lojtarët seniorë që po luajnë me ekipet e tyre, të dhënat e lojtarëve janë nga java e fundit e zhvilluar gjatë vikendit që lamë pas.
Nëse keni informacione për lojtarë të tjerë që paraqiten me ekipe të ndryshme në botë, lirisht na kontaktoni në mesazhe dhe ne do të paraqesim informacione të përjavshme edhe për ta.
/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.