PAS XHIROS SË TRETË TË SUPERLIGËS, VETËM NJË EKIP PA HUMBJE
Prishtinë(AsistiOnline) – Është mbyllur edhe xhiro e tretë e Prince Caffe Superligës së Kosovës në Basketboll.
Edhe kjo pjesë e garës, solli ndeshje shumë interesante me dy fitore të arritura nga ekipet vendase dhe dy fitore të arritura nga ekipet mysafire.
Të mërkurën u zhvilluan dy takimet e para të xhiros në të njëjtin orar.
Fillimisht, Trepça mposhti në Mitrovicë, Golden Eagle Yllin në një ndeshje tejet dramatike me rezultat minimal, 71-70 dhe arriti fitoren e parë në stinorin e ri të Superligës, karshi dy humbjeve. Në anën tjetër, Ylli pësoi humbjen e parë dhe ka dy fitore.
Në sfidën tjetër të së mërkurës, Peja arriti fitoren e radhës, kësaj radhe duke mposhtur ekipin e Ponte Prizrenit në ”Sezai Surroi” me rezultat të përgjithshëm, 74-90 dhe kështu mbetet ekipi i vetëm pa humbje, ku nga 3 ndeshje ka po aq fitore. Ndërsa, Ponte Prizreni pësoi disfatën e dytë, karshi një fitore.
Të enjtën u zhvilluan dy takimet e fundit.
Rahoveci e fitoi derbin ndaj Prishtinës me rezultat të thellë, duke ju revanshuar kryeqytetasve për humbjen në gjysmëfinale të Superkupës. ‘Vreshtarët’ mposhtën bindshëm kryeqytetasit me rezultatin final, 83-62, duke e arritur fitoren e dytë sezonale, karshi një disfate. Ndërsa, Prishtina tash ka seri negative me dy humbje e vetëm një fitore.
Dhe në ndeshjen e fundit të xhiros, Vëllaznimi i Gjakovës arriti fitoren e parë në Superligë, duke mposhtur Bashkimin e Prizrenit, 72-76. Dhe tash të dyja skuadrat kanë nga një fitore e nga dy disfata në këtë stinor të ri.
Pas xhiros së tretë, kjo është renditja tabelare e Superligës:
1.Peja, 6 pikë
2.Rahoveci, 5 pikë
3.Golden Eagle Ylli, 5 pikë
4.Ponte Prizreni, 4 pikë
5.Bashkimi, 4 pikë
6.Trepça, 4 pikë
7.Prishtina, 4 pikë
8.Vëllaznimi, 4 pikë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.