Basketboll

REAGIMET E KOMUNITETIT TË BASKETBOLLIT, PAS PEZULLIMIT TË NDESHJEVE TË MESJAVËS

Kryetari i FBK-së dhe Sekretari i MKRS-së, komentojnë ndalesën për ndeshjet e vikendit...

Prishtinë(AsistiOnline) – Masat ad-hoc që i vendosi Qeveria e Kosovës të premtën pasdite kanë ndikuar që të ndërpriten garat sportive, duke përfshirë edhe basketbollin e fundjavës.

Ky vendim i qeverisë shkaktoi reagim të ashpër tek lojtarët dhe zyrtarët e klubeve të Prince Caffe Superligës.

Peja , Golden Eagle Ylli e Ponte Prizreni edhe publikisht shprehën shqetësimet e tyre përmes deklarimeve në faqet zyrtare në rrjete sociale me arsyetim se pasojat e këtyre vendimeve do të jenë të mëdha dhe rrezikojnë me shuarjen eventuale të ndonjërit nga klubet.

Për më tepër, 29 lojtarë më të mirë vendor të elitës kanë publikuar një reagim dhe komunikatë zyrtare duke e shprehur shqetësimin e tyre për këtë vendim, duke e potencuar faktin se komuniteti i basketbollit i është përmbajtur të gjitha rekomandimeve nga IKSHP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë dhe se në 40 ndeshjet zyrtare, sa janë zhvilluar deri më tani, nuk është regjistruar asnjnjë rast pozitiv me COVID-19.

Ata po ashtu shprehen revoltën dhe pakënaqësin se, pas anulimit të kampionatit të kaluar dhe gjatë periudhës 8 mujore sa nuk pati aktivitete, ata nuk kanë pasur asnjë lloj përkrahje nga institucionet.

Krejt në fund janë dakorduar që: në rast se qeveria nuk e rishqyrton vendimin për pezullimin e aktiviteteve sportive, lojtarët nuk do t’i përgjigjen ftesës së Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjet që do të zhvillohen në fund të nëntorit, në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023.

Lidhur me ndërprerjen e garave, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ibër Alaj shpjegoi se Qeveria ishte e detyruar të marr një vendim të tillë për të ruajtur shëndetin publik pas ngritjes enorme të rasteve të infektimit me COVID19

“Por ka qenë një situatë që e cila nuk hyn në domenin sportiv, por hyn nën-domenin e shëndetit publik dhe Ministria e Shëndetsisë ka bo një vlerësim që së paku për 3 ditë të jetë një kufizim i masave në mënyrë që të ketë një rënie të të infektuarve”.

Ndërsa, Alaj shtoi, se në mbledhjen e Komitetit për Vlerësimin e Situatës epidemiologjike të Kosovës, do të diskutohet çështja e garave sportive dhe mos ndërprerja e aktiviteteve.

Nga ana tjetër Federata e Basketbollit e Kosovës e kishte kundërshtuar këtë vendim ad-hoc i cili hutoi gjithë komunitetin sportiv në Kosovë

Në parim, ne kemi qenë kundër që sporti jonë të ndalet pasi kemi bërë gjithçka që të zhvillojmë garën ashtu sic duhet edhe kemi marrë të gjitha masat paraprake dhe parandaluese, për të parandalu çfarëdo shpërndarje të virusit, përmes garave tona, thotë Fetahu.

Kryetari Fetahu shpjegon se FBK tashmë kishte pezulluar garat e grupmoshave të reja pasi aty është shumë më vështirë të menaxhohet situata duke theksuar se në kategoritë ku aktualisht po zhvillohen garat: Prince Caffe Superligën e Meshkujve, atë të femrave dhe Ligën e parë, federata dhe klubet kanë ndërmar të gjitha masat dhe i kanë respektuar protokolet në mënyrë strikte andaj, ky vendimi ishte shokues dhe mund të ketë pasoja të mëdha për basketbollin.

”Ne i kemi pezulluar paraprakisht të gjitha garat e fëmijëve, pikërisht për këte arsyje, sepse kemi menduar që është më e vështire që të menagjohet situata pandemike në zhvillimin e këtyre garave. Ndërsa për seniorë i kemi garantu, për aq sa ka qenë e mundur do të thotë, ndërmarrjen e të gjitha masave parandaluese, kështuqë ka qenë paksa si shokues, ky lajm për ne. Por ajo që duhet të thënë është se mbase për tërë komunitetin e sportit, ka qenë shokues ky lajm për pezullim gjatë fundjavës, ndërsa që lejon zhvillimin e garave gjatë javës. Ndoshta si forme e lock-down-it të plotë, siç e ka menduar qeveria, ka mundur me pasë ndonjë kuptim, por në kuptimin e ngushtë për basketbollin ka qenë fare i pakuptimtë dhe nuk mund të pranojmë një gjë të tillë si të mirëqenë. Shpresoj që të mos ndodhë kjo në të ardhmen dhe të mos kemi këso ndërpreje, apo pezullime të përkohshme të tilla e larg qoftë, të kemi ndonjë pezullim të përhershëm, për shkak se tashmë jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat edhe jemi të gatshëm edhe kemi bërë shumë investime për një stinor të mirëfilltë i cili do të duhet të na zhvillohet. Jemi mjaftueshëm të dënuar si komunitet, që duhet ti zhvillojmë garat pa publik, jemi duke i zhvilluar garat me sakrificë të madhe për shkak se kemi natyrisht edhe ngecje në kuptimin e përkrahjes nga qeveria, nga autoritetet lokale dhe në kuptimin e përkrahjes nga sponzorët të cilët e përbëjnë bazën më të madhe të përkrahësve të sportit, në nivel ku ai zhvillohet e ai është i klubit. S’po flas për Federatën, po flas tërë kohën për klubet dhe anëtarët, tha numri një i FBK-së.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.