Basketboll

AGRON BERISHA REAGON ASHPËR, PAS HUMBJES SË THELLË TË YLLIT NGA RAHOVECI

Prishtinë(AsistiOnline) – Ikona dhe ish- lojtari e trajneri i klubit të Golden Eagle Yllit, Agron Berisha ka reaguar ashpër pas humbjes së therandasve në derbin e xhiros së shtatë në Superligë nga Rahoveci.

Berisha nëpërmjet një reagimi në llogarinë e tij në Facebook, ka reaguar ashpër për humbjen e Yllit nga Rahoveci, duke shtruar disa pyetje ironike dhe duke kritikuar haptazi drejtuesit e skuadrës, që dikur e drejtonte vetë si trajner me shumë sukses edhe pse me shumë më pak buxhet.

A është Golden Eagle Ylli ekip me i ndreqë statistikat, përforcimet që vijnë aty, a po merren për të fituar trofe?… Këtu nuk po shoh diçka të mirë. Papërgjegjësi as në stërvitje nuk bëjnë lojtarët profesionistë e më së paku, kur dihet që këta janë basketbollistët më të paguar në ligë. Aq më shumë, kur dihet se Ylli është një ndër ekipet me buxhetin më të madh në ligë. Kjo e sotmja ishte turp”, ka përfunduar reagimin e ashpër, ish-lojtari dhe trajneri i klubit nga Theranda.

Skuadra e Yllit u mposht sonte nga Rahoveci me rezultat tejet të thellë, 76-96 dhe ishte humbja e tretë sezonale për therandasit në stinorin e sivjetmë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.