Basketboll

ZYRTARE: DRILON HAJRIZI RIKTHEHET PAS 7 VITESH TE TREPÇA

Prishtinë(AsistiOnline) – Njëri ndër basketbollistët më të mirë i viteve të fundit në Kosovë, Drilon Hajrizi po rikthehet tek klubi i vegjëlisë, aty dhe ku bëri emër.

Nga burime në teren të afërta me klubin e Trepçës, AsistiOnline.com ditë më parë ka arritur të mësojë ekskluzivisht, se Drilon Hajrizi është transferi më i ri i KB Trepçës në afatin kalimtar të janarit. Përderisa sot lajmin e konfirmoi edhe vetë lojtari.

Driloni rikthehet te Trepça pas plotë 7 vitesh, që prej kur u largua në drejtim të Pejës më 2013 dhe që nga atëherë ka luajtur tek disa skuadra kosovare(Peja, Prishtina, Bashkimi), por edhe jashtë vendit(Kanazawa Samuraiz – Japoni).

Për një kalim të mundshëm të Drilonit, ishte përfolur edhe gjatë vitit 2016, por që atë botë, marrëveshja nuk ishte finalizuar për rrethana të ndryshme, por kësaj radhe Driloni seriozisht do të rikthehet në shtëpinë e vet, pas një kohe relativisht të gjatë, sepse siç kanë përmendur burimet e lartëcekura të Asistit, marrëveshja mes krerëve të rinjë të klubit të madh mitrovicas dhe lojtarit, tashmë është finalizuar dhe se zyrtarizimin e ka bërë vetë Hajrizi nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Minatori është foleja ime. Trepça është fryma ime. Torcida është zemra ime! Krejt këto janë vetja ime! Unë po i kthehem vetes sime! Si lojtar profesionist, largimi ishte i pashmangshem. Si Drilon, e ndjej te nevojshme t’ju kerkoj falje per mungesen! Mire se ju gjeta”, ka shkruajtur Hajrizi.

Të kujtojmë se Trepça, titullin e fundit të kampionit në Kosovë e fitoi me Hajrizin në krye të skuadrës në stinorin 2011/12 dhe me rikthimin e yllit të dikurshëm të skuadrës, klubi nga qyteti i ‘minatorëve’, do të synojë që ta rikthejë lavdin e dikurshëm të basketbollit mitrovicas në Kosovë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.