Basketboll

RAHOVECI FITON DERBIN NDAJ YLLIT DHE SHPALLET KAMPION VJESHTOR

Prishtinë(AsistiOnline) – Rahoveci e ka fituar derbin e xhiros së 14-të në elitën e basketbollit kosovar dhe kështu është shpallur kampion vjeshtor i Superligës.

‘Vreshtarët’ kanë arritur triumf të madh në derbin ndaj Yllit, duke e fituar këtë super-sfidë me rezultatin e përgjithshëm të takimit, 92-86.

Sa i përket rrjedhës së ndeshjes, ajo ishte shumë interesante me Yllin që e fitoi periodën e parë, 15-18, përderisa Rahoveci u këndell paksa në çerekun e dytë, duke e fituar minimalisht(19-18) dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin, 34-36.

Në pjesën e dytë, Rahoveci u tregua shumë më i vëmendshëm dhe si shkak i kësaj arriti që përpos fitimit të çerekut të tretë(26-18), ta rrëmbejë edhe avantazhin e ndeshjes, 60-54. Në periudhën e fundit, skuadrat luajtën me presion të madh, dalja e Valon Bunjakut me 5 personale në pesë minutat e fundit ia vështirësoi punët tejmase Yllit, vendasit deri në fund arritën ta mbajnë avantazhin e krijuar nga çereku i tretë dhe me meritë iu gëzuan fitores e cila i shpallë kampionë vjeshtorë të Superligës së meshkujve.

Dy amerikanët e Rahovecit, Isaiah Traylor me double-double(32pk, 10krc), si dhe Marvin Jones me 31 pikë, ishin basketbollistët më meritorë për triumfin e ‘vreshtarëve’ sonte, por u dalluan edhe Edmond Kryeziu me double-double(10pk, 11krc), si dhe Amadi Ikepze me 8 pikë e 10 kërcime.

Te Ylli s’mjaftoi për fitore, performanca fantastike e qendrës amerikane, Demetris Morant që luajti me double-double fenomenal(16pk, 21krc, 5 asiste e 2 bllokada), Cody John poashtu me 17 pikë, Samir Zekiqi me 16 pikë e Valon Bunjaku me 15 pikë.

Pas xhiros së 14-të, Rahoveci mban pozitën e parë në tabelë me 25 pikë, 11 fitore e 3 humbje. Ndërsa, Ylli mbyll vjeshtën në pozitën e katërt me 22 pikë, 8 fitore e 6 humbje.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.