TELASHET FINANCIARE PJESË E SË KALUARËS, RAHOVECI KAMPION VJESHTOR
Duke parë gjendjen në të cilën klubi i nisi garat para fillimit të edicionit, pak kush e kishte besuar se Rahoveci do të arrinte të këndellet deri në këtë pikë, duke parë telashe e shumta financiare që e kishin kapluar, klubin e kthyer tashmë në simbol të sportit në ‘qytetin e vreshtave’. Por, ja ku jemi dhe pas 14 xhirove të zhvilluara në basketbollin e Kosovës, Rahoveci është lider i pakontestueshëm dhe kampion vjeshtor në elitën e basketbollit kosovar, shkruan AsistiOnline.com
14 ndeshje të zhvilluara, 11 fitore të arritura, 3 disfata të pësuara, 1156 pikë të shënuara, 1064 pikë të pranuara dhe 25 pikë të grumbullura në total, ky është bilanci vjeshtor i skuadrës së Rahovecit që i prinë tabelës së klasifikimit në Superligën e Kosovës, me një pikë më shumë se ndjekësi i parë, Ponte Prizreni që ka 24 sosh.
Padyshim që meritat kryesore për këtë sukses të ekipit, ju takojnë basketbollistëve, pa e harruar kryetarin e klubit, Alban Rama, drejtorin sportiv, Adrian Sharku, anëtarët e bordit, por edhe gjithë njerëzit e tjerë që e përbëjnë Rahovecin si një tërësi.
‘Vreshtarët’ kanë paralajmëruar se në pranverë, do të hyjnë edhe më fuqishëm dhe nuk do të zmbrapsen, sa i përket synimeve që kanë përpara, kërkimin e trofeve dhe sigurisht që janë ndër skuadrat favorite për ta bërë një gjë të tillë.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.