PAS NJË KOHE TË GJATË, HAJRIZI RIKTHEN TREPÇËN TE FITORET
Prishtinë(AsistiOnline) – Pas një periudhe të gjatë kohore, skuadra e Trepçës e ka arritur fitoren e tretë sezonale në Superligën e Kosovës.
Ekipi mitrovicas ka arritur të fitojë në udhëtim te Bashkimi i Prizrenit me rezultatin final të ndeshjes, 91-97, duke fituar një ndeshje, saktësisht pas 10 xhirove të kaluara në elitën kosovare.
Sa i përket rrjedhshmërisë së sfidës, mysafirët nga Mitrovica e nisën më mirë që në start duke fituar periodën e parë, 19-22. Ndërsa edhe periudha e dytë ju takoi atyre, 19-24 dhe kjo bëri që pjesa e parë e ndeshjes të mbyllet, 38-46 në të mirë të Trepçës.
Lojën e mirë gjatë takimit, mysafirët e vazhduan edhe në çerekun e tretë, kur e fituan atë, 20-26. Bashkimi përkundër fitimit të çerekut të fundit(33-25), nuk arriti ta përmbysë rezultatin dhe në fund, fitorja me meritë i takoi skuadrës së Trepçës.
I rikthyeri në ekip pas 7 viteve, Drilon Hajrizi ishte basketbollisti më meritor pse Trepça fitoi sonte edhe pse doli me 5 personale, Hajrizi ishte individi më i vyer me double-double(25pk, 14krc, 5 asiste, 1tvj, 1bllo), ndërsa u ndihmua edhe nga Dillon Smith me 25 pikë e 8 asiste, Besnik Azemi me 19 pikë e Burim Zekiqi me 13 sosh.
Te Bashkimi që sonte nuk ishte fare në element si skuadër, s’mjaftuan për fitore: Endrit Hysenagolli me double-double(22pk, 17krc), Sean Hoehn e Musab Mala me nga 18 pikë, Qëndrim Biraj me 12 pikë, Juljan Hamati me 11 pikë e K.J Robinson me 10 sosh.
Pas xhiros së 15-të, Trepça arrin në kuotën e 18 pikëve me 3 fitore e 12 humbje dhe mbetet e fundit në tabelë. Ndërsa, Bashkimi mbetet i 5-ti me 23 pikë, 8 fitore e 7 humbje.
Në xhiron e ardhshme, Bashkimi i shkon Yllit, ndërsa Trepça do të takohet me Sigal Prishtinën.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.