Basketboll

FITORJA MË E THELLË E STINORIT, PEJA RIKTHEHET NË KRYE

Prishtinë(AsistiOnline) – KB Peja e ka arritur një fitore më të lehtë se që është pritur ndaj Bashkimit të Prizrenit, në kuadër të xhiros së 18-të në Superligën e Kosovës.

‘Verdhezinjët’ kanë arritur të triumfojnë në shtëpi dhe me rezultat të thellë ndaj Bashkimit, 95-58. Këta të fundit pësuan humbjen më të thellë të stinorit dhe që ishte shumë zhgënjyese për ta.

Sa i përket rrjedhshmërisë së ndeshjes, nuk është se kishte ndonjë histori për faktin se skuadra e Pejës që nga fillimi e deri në fund e kishte avantazhin konstant në anën e vet, duke fituar të gjitha periodat e ndeshjes(26-17, 22-8, 21-17, 26-16) dhe në fund fitorja ishte krejtësisht e natyrshme për ta.

Pesë basketbollistë arritën pikë dyshifrore në fitoren e pejanëve sot: Dardan Berisha e Dion Dixon me nga 19 pikë, Brandon Walters me double-double(18pk, 13krc, 4blk), Marko Peroviç me 15 pikë dhe Rron Grapci me 10 pikë.

Te Bashkimi pikë dyshifrore realizuan, Endrit Hysenagolli e Musab Mala nga 13 dhe Sean Hoehn shtoi 12 sosh.

Pas xhiros së 18-të, Peja arrin në kuotën e 30 pikëve, duke marrë së paku përkohësisht kreun e tabelës me 12 fitore 6 humbje. Përderisa, Bashkimi mbetet i 5-ti me 27 pikë, 9 fitore e 9 humbje.

Në xhiron e radhës, Peja i shkon Trepçës e Bashkimi e pret Rahovecin.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.