5-SHJA E JAVËS NGA XHIRO 18 E SUPERLIGËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Xhiro e 18-të në Superligën e Kosovës në basketboll na solli ndeshje mjaftë interesante ndërsa 5 lojtarët që u dalluan ishin Xavier Cannefax e Arti Hajdari nga Ponte Prizreni, Erjon Kastrati nga Ylli, Drilon Hajrizi nga Trepça e Brandon Walters nga Peja.
1.Organizatori më i mirë i xhiros së 18-të ishte Xavier Cannefax i Ponte Prizrenit që vazhdoi me performancë të mirë edhe në këtë xhiro, duke qenë ndër pikëshënuesit më të mirë së bashku me Arti Hajdarin në fitoren e Ponte Prizrenit në derbin ndaj Rahovecit. Amerikani luajti me 22 pikë të realizuara, 8 herë asistoi dhe duke kapur 7 topa nën-tabelë, si dhe rrëmbeu edhe 3 topa. Kjo performancë i dha Cannefaxit indeksin prej +24 e që ishte më i larti për një plejmejker tek skuadrat fituese këtë xhiro.
2. Fundori më i mirë i xhiros ishte bashklojtari i Cannefaxit, Arti Hajdari që së bashku, ishin ndër më meritorët në fitoren e Pontes përballë Rahovecit. Hajdari në këtë duel luajti me 22 pikë të realizuara ku pati saktësi fenomenale nga gjuajtjet e lira pasirealizoi 4 nga 4 tentimet apo 100%, si dhe kishte 2 shënime nga 4 tentime tek vija për 3 pikë, ndërsa shtoi edhe 7 asiste, 5 kërcime dhe 3 vjedhje topash. Për këtë perofrmancë Hajdari u vlersua me indeksin +28 që i dha atij pozitën e fundorit më të mirë të xhiros së 18-të.
3.Pozita e alos më të mirë këtë xhiro i takon Reprezentuesit të Kosovës, Erjon Kastrati që sivjet u rikthye në elitën tonë dhe po luan te Ylli. Kastrati në duelin e vështirë përballë Prishtinës ishte individi kryesor pse Ylli arriti fitore, duke luajtur me 26 pikë, prej tyre 4 trepikësha nga 6 tentime apo 66% i saktë, 8-11 nga gjuajtjet e lira, si dhe duke shtuar edhe 9 kërcime e 1 asist, këto statistika atij i siguruan pozitën e alos më të mirë këtë xhiro.
4. Alo-qendra me e mirë këtë xhiro pa asnjë dyshim ishte, ylli i rikthyer te Trepça, Drilon Hajrizi që udhëhoqi ekipin e tij drejt fitores së madhe ndaj rivalit direkt për mbijetesë, Vëllaznimit. Hajrizi në këtë duel ishte i papërmbajtshëm dhe i pandalshëm për kundërshtarët, duke realizuar double-double fantastik prej, 34 pikëve pikë duke kapur edhe 13 topa nën kosh, shtuar edhe 5 asiste e 1 bllokadë që i dhanë atij indeksin prej +36 e që ishte më i larti për një alo-qendër në këtë xhiro.
5. E pozita e qendrës më të mirë këtë javë i takon gjigantit të Pejës,Brandon Walters që po shfaq lojëra fantastike që nga ardhja e tij në Pejë, duke qenë thjesht i pandalshëm nën-kosh. Walters së bashku me Berishën në fitoren përballë Bashkimit, ishte ndër më meritorët duke realizuar double-double prej 18 pikëve prej të cilave ishte i saktë 72% apo 8-11 për 2 pikë, si dhe realizoi 2 nga 2 gjuajtjet e lira në total, ndërsa pati 13 kërcime, 4 bllokada dhe 1 asist. Këto statistika fenomenale i dhanë atij indeksin prej +31 e që ishte larg më i miri nga qendrat në këtë xhiro.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.