Basketboll

PRISHTINA ME FITORE TË MADHE, PËRBALLË LIDERIT TË TABELËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina e ka arritur një fitore të madhe në kuadër të xhiros së 19-të në Superligën e Kosovës.

Mysafirët nga kryeqyteti kanë mposhtur në udhëtim, liderin e renditjes tabelare, Ponte Prizrenin me rezultatin përfundimtar të sfidës, 66-74.

Prishtina e nisi shumë më mirë këtë takim, duke e fituar çerekun e parë të ndeshjes bindshë, 17-26, përderia në periodën e dytë, Prizreni paksa u rikthye në lojë dhe e ngushtoi avantazhin duke e fituar këtë çerek, 19-15 e skuadrat shkuan në pushimin mes pjesëve me rezultat, 36-41.

Pak më e mirë se mysafirët, Ponte Prizreni ishte edhe në çerekun e tretë, duke fituar 18-15 dhe çerekun e katërt Prishtina e nisi me vetëm dy pikë avantazh(54-56). Në këtë periudhë që ishte vendimtare për fituesin e duelit, Prishtina ishte më e kujdesshme dhe arriti ta fitojë me 6 pikë dallim(12-18) dhe në fund prishtinasit iu gëzuan fitores së gjashtë sezonale.

Transferi i ri, Tevin Mack ishte individi më i dalluar në fitoren e kryeqytetasve sot me 23 pikë e 6 kërcime, ndihmuar edhe nga Meriton Ismajli që zhvilloi ndeshje fantastike me 15 pikë dhe Seth Leday që realizoi 14 pikë.

Te Ponte Prizreni s’mjaftuan për fitore, Xavier Cannefax me 22 pikë, Urim Zenelaj me 16 pikë, Arti Hajdari me 13 pikë dhe Jeremiah Paige me 12 sosh.

Pas xhiros së 19-të, Prishtina pozicionohet e 6-ta me 25 pikë, 6 fitore e 13 humbje. Përderisa, Prizreni mbetet lider i tabelës me 32 pikë, 13 fitore e 6 humbje.

Në xhiron e radhës, Prishtina e pret Vëllaznimin e Prizreni e luan derbin lokal ndaj Bashkimit.

/AsistiOnline.com/ 

Komentet janë të mbyllura.