Basketboll

VAZHDON FORMA E MIRË E TREPÇËS, MPOSHTET EDHE PEJA

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra mitrovicase, Trepça e ka arritur edhe një fitore shumë të rëndësishme në kuadër të xhiros së 19-të në Superligën e Kosovës.

Mitrovicasit kanë triumfuar në shtëpi ndaj rivalit të moqëm, Pejës me rezultat final, 110-91, që dorën në zemër, nuk ishte pasqyrim real i asaj që treguan dy skuadrat, lojë të mirë dhe të baraspeshuar deri në mesin e çerekut të katërt.

Në fakt ishte skuadra e Pejës ajo që e nisi më mirë këtë takim, duke fituar çerekun e parë me rezultat, 25-28, por ishte kjo e tëra çfarë pamë nga pejanët pasi në periodat në vijim, Trepça e mori kontrollin e takimit, duke fituar çerekët e radhës(32-25, 25-24, 28-14), të cilët ia siguruan fitoren.

Ivan Koljeviç e Drilon Hajrizi ishin dy basketbollistët më meritorë pse Trepça sonte triumfoi. Koljeviç luajti me double-double(33pk, 10ast, 4krc, 3tvj), Driloni ishte afër triple-double’it me 32 pikë, 9 asiste e 8 kërcime, si dhe 2 vjedhje topash. Por pikë dyshifrore arritën edhe Dillon Smith e Stavros Toutziarakis me nga 17 pikë.

Te Peja s’mjaftuan për fitore, Dion Dixon me 34 pikë, Marko Peroviç me 15 pikë, Brandon Walters me 14 pikë dhe Ermal Bojku me 13 sosh. Duhet cekur se sonte, skuadra e Pejës u paraqit pa lojtarin kryesor, Dardan Berisha, por edhe pa Rron Grapcin e Leonard Mekajn.

Pas xhiros së 19-të, Trepça pozicionohet e 6-ta me 24 pikë, me 6 fitore e 13 humbje. Ndërsa, Peja gjendet në pozitën e 2-të me 31 pikë, 12 fitore e 7 humbje.

Në javën e ardhshme, Trepça i shkon Rahovecit e Peja e pret Yllin.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.