Basketboll

PËRFUNDIMISHT NDESHJET E KUPËS NË SUHAREKË LUHEN PA SHIKUES

Përkundër se ishte paralajmëruar nga klubi organizator, se ”Final Eighti” i Kupës së Kosovës, do të mbahet me tifozë të pranishëm, kjo në fakt nuk do të ndodhë.

Zhvillimin e ndeshjeve pa shikues ia ka konfirmuar FBK-së, Ministria e Shëndetësisë në komunikimin e fundit që e kanë pasur. FBK-ja kishte kërkuar kthimin e shikuesve në numër të vogël, si një test para ndeshjeve të Përfaqësueses së Kosovës që luhen më vonë këtë muaj në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin e vitit 2023. Shpresat ishin të mëdha se për çdo ndeshje të Kupës së Kosovës do të lejoheshin nga 200 shikues, e për të cilët thuhej do t’i respektonin me përpikëri masat anti-COVID. FBK-ja kishte dërguar edhe një plan për ta bindur MSH-në se është e gatshme të organizojë një ngjarje sportive me tifozë, për herë të parë në edicionin e ri të garave.

Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se FBK-ja duhet t’i referohet vendimit të fundit në lidhje me masat për mbrojtjen nga koronavirusi, e në të cilin specifikohet se nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave në qendra rekreative-sportive. Në FBK janë të detyruar ta respektojnë një vendim të tillë, ndonëse kanë pritur kthimin e tifozëve në numër të vogël.

Ndeshjet e “Final 8” të Kupës së Kosovës nisin të mërkurën dhe përfundojnë të dielën (7 shkurt). Ky turne do të zhvillohet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

“Në letrën e fundit, Ministria e Shëndetësisë na ka lënë të kuptojmë se në ‘Final 8’ nuk do të ketë tifozë, përkundër faktit që ishim të gatshëm dhe e kishim planin për t’i respektuar të gjitha masat. Aty shkruhet se duhet t’i referohemi vendimit të fundit për masat anti-COVID dhe nenit 24, që thotë se ndalohet grumbullimi i më shumë se 50 personave. Ne edhe në manualin tonë për kthimin e garave e kemi që në palestër nuk mund të jenë të pranishëm më shumë se 50 persona”, ka pranuar sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

“Ne donim që këto ndeshje të Kupës të luheshin me tifozë, por për shkak të situatës me pandeminë jemi të detyruar të vazhdojmë me garat ashtu siç i kemi filluar. Natyrisht që jemi të dëshpëruar edhe ne, por kjo është për mbrojtjen e shëndetit dhe për federatën tonë është primare një gjë e tillë”.

Mungesën e tifozëve në palestrën “13 Qershori” e kanë pranuar edhe zyrtarët e klubit Golden Eagle Ylli, organizatorit të “Final 8”. Klubi nga Suhareka, të dielën, kishte publikuar një njoftim në “Facebook” ku thuhej se do të ketë tifozë në tribuna. Por, njoftimi doli të mos ketë qenë i konfirmuar. Një ditë më vonë, të hënën, në klub kanë pranuar se duhet të pajtohen me vendimin dhe të vazhdojnë me mbajtjen e aktivitetit pa praninë e publikut.

“Pas përpjekjeve të shumta të Golden Eagle Yllit si organizator në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës, ju njoftojmë që në ndeshjet e Final 8 Kupa e Kosovës në basketboll, do të jenë të pranishëm 200 shikues. Natyrisht, basketbolli luhet për shikues dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, në vendin ku ky sport është më shumë se sport”, shkruhej në njoftimin e së dielës.

Pas këtij njoftimi tifo-grupet filluan mobilizimin dhe paralajmëruan udhëtimin në Suharekë. I fundit ishte tifo-grupi “Arpagjikt” nga Prizreni.

“Sipas deklaratave nga Federata e Basketbollit dhe organizatorët, jemi të informuar se të mërkurën ndeshjet do të zhvillohen me shikues dhe ne kemi të drejtë deri në 100 tifozë të jemi të pranishëm në ndeshjen Ylli – Bashkimi. Pas këtij lajmi të shumëpritur organizimi ynë ka filluar në FanClub edhe pse do të jetë tepër e vështirë t’i përzgjedhim tifozët pasi që kërkesa është tepër e madhe”, ka paralajmëruar tifo-grupi “Arpagjikt” të hënën.

Drejtori i Yllit, Agron Berisha, ka konfirmuar për KOHËN se përkundër paralajmërimeve për kthimin e tifozëve në palestër, ndeshjet e Kupës së Kosovës do të luhen prapa dyerve të mbyllura. Ai ka thënë se Ylli është i gatshëm për organizim të kësaj ngjarjeje, e cila tani do të jetë më e zbehtë për shkak të tribunave të zbrazëta.

“Ne jemi bërë gati në çdo aspekt, por vetëm kjo çështja e kthimit të tifozëve disi na ka mbajtur peng. Edhe pse fillimisht u tha që do të lejohen tifozët në tribuna në numër të caktuar, ne të hënën morëm njoftimin nga Federata se Ministria e Shëndetësisë nuk ka lejuar një gjë të tillë, por ka kërkuar që ndeshjet të vazhdojnë me dyer të mbyllura”, është shprehur Berisha. “Na vjen shumë keq që do të jetë pa tifozë për shkak se basketbolli luhet shkaku i tyre. Mirëpo, kjo nuk është në dorën tonë dhe duhet të pajtohemi me këtë vendim”.

Megjithatë, as në FBK e as tek Ylli nuk janë dorëzuar tërësisht në lidhje me shikuesit pasi po shpresojnë që gjatë ditës së martë mund të marrin ndonjë njoftim tjetër nga MSH-ja, ku do të lejohet kthimi i pjesshëm i tifozëve.

“Ne po shpresojmë që do të kemi tifozë, ndonëse një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë”, shtoi Berisha.

/Koha.net/

 

Komentet janë të mbyllura.