Basketboll

PONTE PRIZRENI GJYSMËFINALISTI I RADHËS NË KUPËN E KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Ponte Prizreni është skuadra e tretë gjysmëfinaliste e Kupës së Kosovës.

Ekipi prizrenas i drejtuar nga Arbnor Rifati, ka arritur që ta mposhtë Vëllaznimin e Gjakovës në çerekfinale me rezultatin tejet të ngushtë dhe dramatik, 109-106, madje vetëm pas vazhdimeve pasi koha e rregullt e sfidës u mbyll baraz, 94-94.

Rrjedha e ndeshjes ishte e ngushtë që nga fillimi me Vëllaznimin që e nisi më mirë, duke e fituar çerekun e parë, 29-31. Përderisa, Ponte Prizreni u këndell në çerekun e dytë, duke e fituar atë, 22-13 dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin, 51-44, në të mirë të prizrenasve.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Vëllaznimin që e fitoi çerekun e tretë, 23-28 dhe në periodën e fundit, hyri me vetëm 2 pikë minus, 74-72. Perioda e katërt e takimit ishte shumë dramatike, lojë e fortë dhe me taktizime, Vëllaznimi arrin që ta fitojë me 2 pikë dallim(20-22), duke bërë që ky çerek të mbyllet baraz, 94-94.

Në vazhdime skuadër më e koncentruar doli të jetë, Ponte Prizreni që e fitoi këtë vazhdim prej 5 minutash(15-12) dhe fitorja me meritë ju takoi atyre.

6 lojtarë arritën pikë dyshifrore në fitoren e Ponte Prizrenit sot, Arti Hajdari me 31 pikë, Jeremiah Paige me 23 pikë, Divine Myles me 20 pikë, Urim Zenelaj e Xavier Cannefax me nga 12 pikë, si dhe transferi i ri, Garrius Holloman me 11 pikë.

Te Vëllaznimi s’mjaftuan për fitore, Andi Shehu me 31 pikë, Emmanuel Omogbo me 25 pikë, 16 kërcime, 9 asiste dhe Deondre Ray e Cedric Council me nga 18 pikë.

Me këtë triumf, Ponte Prizreni kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, ku e pret fituesin e duelit të sontëm, Peja  – Prishtina.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.