Basketboll

DY ARDHJE TË REJA NË PËRFAQËSUESEN E KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës A në konkurencën e meshkujve, sonte do të grumbullohet për herë të parë, pas disa javësh pushim.

Kosova A më 18 Shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 Shkurt me Sllovakinë. Të dy ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë, ashtu siç të gjitha takimet e Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023.

AsistiOnline.com ka mësuar se selektori, Marmarinos ka ftuar në grumbullimin e gjerë për këto ndeshje edhe dy basketbollistët e rinjë që luajnë jashtë vendit, Denis Zenelaj dhe Dion Sheqiri.

Denis Zenelaj, 19 vjeçar që ka një gjatësi prej 200 centimera dhe që luan në pozitën 3. Zenelaj paraqitet me Bremerhavenin në ligën e parë të juniorëve, Bundesliga U19, si dhe në ligën e seniorëve, Pro A apo Bundesliga 2 në Gjermani.

Basketbollisti tjetër i ri dhe i ftuar është qendra shtatëgjate, Dion Sheqiri i gjatë plotë 208 centimetra. Sheqiri luan tek skuadra e njohur italiane, Trieste ku paraqitet për grupmoshat U-18, derisa stërvitet edhe me ekipin e parë të këtij klubi.

Para transferimit për në skuadrat evropiane në fjalë, që të dy lojtarët e lartëcekur kanë qenë basketbollistë të klubit kosovar, Kerasan Prishtina.

Siç është raportuar më parë të gjitha ndeshjet e Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë, që do të jetë mikpritëse e ‘Bubble’, një ngjarje shumë e rëndësishme për basketbollin e Kosovës.

Në këtë grup, Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje.

Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.