BERISHA: DUAM FITORE DHE KUALIFIKIM NË FAZËN TJETËR
Basketbollistët e Kosovës janë shumë të motivuar në përgatitjet dhe premtojnë maksimumin në përballjen e sontme me Luksemburgun, por edhe ndaj Sllovakisë pas dy ditëve.
Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, kishte munguar në ndeshjet e nëntorit, pot tashmë është i gatshëm të japë 100 % nga vetja për Dardanët.
“Në ndeshjet e nëntorit nuk kam qenë unë, por prapë kemi disa mungesa. Entuziazmi është i madh. Po luajmë në vendin tonë. Motivi është shumë i madh. Shpresoj të përgatitemi sa më mirë. Kemi cilësi, por nëse nuk kemi lëndime kemi gjasa për tu kualifikuar tutje”, është shprehur Berisha për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai foli edhe për mungesën e tifozëve. “Sa herë kemi luajtur në shtëpi, përkrahja e tifozëve ka qenë e madhe. Ka qenë lojtari i gjashtë. Ne e dimë që po luajmë për shtetin dhe jam i bindur që secili do të japë maksimumin nga vetja. Do të na mungojnë shumë tifozët ‘Dardanët’”, deklaroi Dardan Berisha.
Kosova A sonte do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 Shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00. Të dy ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë, ashtu siç të gjitha takimet e Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023.
Në këtë grup, Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje.
Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.
Komentet janë të mbyllura.