SHQIPËRIA MPOSHTET DHE ELIMINOHET
Prishtinë(AsistiOnline) – Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll, ka pësuar sonte nga Qipro dhe është eliminuar nga parakualifikimet për Botërorin 2023.
Ekipi shqiptar ka pësuar nga nikoqirët e Qipros në ‘bubblen’ e krijuar pikërisht nga këta të fundit me rezultatin final të sfidës, 86-66.
Në fakt ekipi shqiptar i drejtuar nga trajneri Afrim Bilalli në pjesën e parë u mbajt mjaftë mirë(18-22, 14-12), por që pjesa e dytë i takoi krejtësisht ekipit qipriot(26-15, 30-17) dhe në fund me meritë ata arritën fitore edhe pse pa gjasa për kualifikim.
Te Shqipëria vetëm dy basketbollistë arritën të shënojnë pikë dyshifrore sonte. Rei Pullazi me 17 pikë, 8 kërcime e 3 asiste, përderisa Endrit Hysenagolli realizoi 10 pikë e 9 kërcime.
Te Qipro në fitore u dalluan, Stefanos Iliadis me 21 pikë e 5 asistime, si dhe Nikos Stylianou me 20 pikë e 6 kërcime në fitore.
Përkundër fitores së sontme, Qipro është eliminuar nga këto parakualifikime, ashtu sikurse edhe Shqipëria. Ndërsa, Bjellorusia e Portugalia kaluan tutje.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.