Basketboll

KBF BASHKIMI MPOSHT NDJEKËSIN DIREKT, BLINDON POZITËN E PARË

Bashkimi i Prizrenit ka vazhduar me fitore në Superligën e Femrave, duke mundur Vëllaznimin në udhëtim me rezultatin, 68:85 (13:20, 29:15, 10:31, 16:19).

Takimi në fakt ka qenë mjaft interesant, ku vashat prizrenase fituan çerekun e parë 13:20. Por, kundërpërgjigja e skuadrës vendase nuk vonoi shumë, duke dominuar në periudhën e dytë, 29:15, për të shkuar në pushim me shifrat 42:37.

Por, dallimi u bë në periodën e tretë. Skuadra lidere dominoi totalisht, 10:31 dhe siguroi fitoren, derisa epërsinë e lartë e ruajti edhe në 10 minutat e fundit dhe në fund triumfoi 68:85.

Te Vëllaznimi u dalluan Raven Baker me 28 pikë dhe Sarah Mgbeike me 19 pikë e 12 kërcime, ndërsa te Bashkimi u dalluan Saranda Daci me 33 pikë e 15 kërcime dhe Aisha Ballarabe me 23 pikë e 17 kërcime.

Vëllaznimi ka 10 fitore dhe pesë humbje, kurse Bashkimi 14 fitore dhe vetëm një humbje e gjendet bindshëm në pozitën e parë.

 

Komentet janë të mbyllura.