Basketboll

RRUGËTIMI I RADOVIÇIT NË BASKETBOLLIN E KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Trajneri malazez, Dragan Radoviç nuk po mund ti ndahet assesi basketbollit të Kosovës tash e disa vite, shkruan AsistiOnline.com

45 vjeçari i lindur në Cetinje e Malit të Zi, aventurën e trajnerit në Kosovë e nisi te Bashkimi i Prizrenit në stinorin 2016/17, për tu rikthyer në stinorin në vitin 2018, tek po e njëjta skuadër dhe këtë rradhe arriti ti shpallë kampionë të edicionit, prizrenasit për herë të parë pas luftës.

Suksesi i tij me Bashkimin, bëri që Radoviç të jetë i kërkuar edhe nga skuadrat e tjera kosovare, kështu që në stinorin 2019/20, ai nënshkroi me Golden Eagle Yllin dhe arriti që për herë të parë në histori të klubit ta drejtojë Yllin në finale të Kupës së Kosovës e ku fatkeqësisht u mposht nga Peja.

Arritja në finale të Kupës së Kosovës, si duket u pa si sukses i Radoviçit nga drejtuesit e klubit therandas të cilët ia vazhduan kontratën edhe në stinorin 2020/21, por që kjo nuk zgjati shumë, ngase pas 7 xhirove të zhvilluara me bilanc, 4 humbje e 3 fitore, ‘Prle’ u shkarkua nga pozita e trajnerit te Ylli.

HISTORIA NUK MBARON ME KAQ!

Në vitin 2021, Radoviç përsëri në basketbollin e Kosovës, por kësaj radhe tek skuadra më e trofeshme në vend, Sigal Prishtina, ku për një periudhë më pak se dy mujore ‘Prle’ arriti që me Prishtinën të fitojë Kupën e Kosovës, duke e mposhtur në finale pikërisht ish-skuadrën(Yllin)me bilanc total, tri ndeshje, tri fitore. Ndërsa në Superligën e Kosovës, pati seri negative prej vetëm 2 fitoresh e 5 humbje dhe pikërisht kjo si duket bëri që ai të dorëheqet nga Prishtina më 24 shkurt.

Sot kur jemi 7 ditë që nga dorëheqja e tij tek Prishtina, Radoviç përsëri emërohet trajner tek një skuadër kosovare. ‘Prle’ sot u prezantua te Peja si shef i shtabit teknik dhe mbetet të shihet se si do të shkojë periudha e qëndrimit të tij tek verdhezinjët.

Gjithsesi një fakt që vlen për tu përmendur, është se Radoviç mbetet trajneri vetëm i huaj në Kosovë që fiton trofe me skuadra të ndryshme, titullin e kampionit me Bashkimin dhe Kupën me Prishtinën.

 /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.