Basketboll

DRAMË NË VUSHTRRI, 2 PIKË DALLIM PËR FITORE

Prishtinë(AsistiOnline) – Derbi i skuadrave nga mesi i tabelës në Ligën e parë të Kosovës i ka takuar New Basketit që ka fituar shumë ngushtë ndaj Vushtrrisë.

Skuadra prizrenase e cila sivjet po tregon lojëra të bukura, ka fituar me shumë telashe dhe me vetëm dy pikë, 68-70, dallim ndaj Vushtrrisë që poashtu sivjet po lufton për play-off.

Ndeshja nisi me baraspeshë maksimale dhe çereku i parë u mbyll baraz, 19-19 e në të dytin, një epërsi solide e krijoi New Basketi(12-17), që poashtu e fitoi çerekun e tretë, 16-19. Vushtrria u këndell në periodën e fundit të ndeshjes, duke e fituar atë, 21-15, por pa arritur që deri në fund ta përmbysë rezultatin dhe në fund fitorja i takoi New Basketit.

Në këtë fitore të vështirë të New Basketit spikatën, basketbollisti i huaj, Aaron Njike me double-double(17pk, 11krc) , Hajriz Hazeri me 16 pikë dhe Drini Rexha me 13 sosh.

Në anën tjetër te Vushtrria s’mjaftuan për fitore: Erhan Sholla me 26 pikë, Shpat Syla e Bledon Ibishi me nga 12 pikë, si dhe Anes Gashi me 10 sosh.

Pas kësaj fitore, New Basketi gjendet në pozitën e 5-të me 22 pikë, 8 fitore e 6 humbje. Ndërsa, Vushtrria e 6-ta me 20 pikë, 6 fitore e 8 humbje.

Në xhiron e radhës, New Basketi takohet me As Prishtinën e Vushtrria i shkon Lipjanit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.