Basketboll

PRISHTINA MPOSHT TREPÇËN DHE E KALON NË TABELË

Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina e ka arritur një fitore me shumë vlera sonte në Mitrovicë, duke mposhtur Trepçën në kuadër të xhiros 23 në Superligën e Kosovës.

Prishtinasit kanë arritur të triumfojnë ndaj Trepçës në ”Minatori” me rezultatin e ngushtë, 80-85.

Ndeshja ishte shumë interesante me Prishtinën që e filloi më mirë, duke e fituar çerekun e parë, 13-19, ndërsa perioda e dytë u mbyll baraz, 19-19 dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat, 32-38.

Në pjesën e dytë, Trepça e nisi më mirë duke e fituar çerekun e tretë, 28-24 dhe kjo bëri që periudha e fundit të nisë me vetëm +2 për prishtinasit(60-62). Përkundër kësaj, Prishtina gjeti forcën dhe mbajti rezultatin në favorin e vet, duke fituar ngushtë çerekun e fundit(20-23) dhe që i shërbeu për fitore.

Individët më të dalluar në fitoren e Prishtinës sonte ishin: Nigel Johnson me 24 pikë, Tevin Mack me 21 pikë, Fisnik Rugova me 17 pikë dhe Daniel Lekndreaj me double-double(11pk, 12krc).

Te Trepça s’mjaftuan për fitore: Ivan Koljeviç e Drilon Hajrizi me nga 20 pikë, Stavros Toutziarakis me 14 pikë dhe Burim Zekiqi me 14 sosh.

Pas kësaj fitore, Prishtina gjendet në pozitën e 6-të me 32 pikë, 9 fitore e 14 humbje. Ndërsa, Trepça bie e 7-ta me 32 pikë poashtu e 9 fitore me 14 disfata, por që ka koshaverazh më të dobët se kryeqytetasit.

Në xhiron e ardhshme, Prishtina e pret Rahovecin e Trepça i shkon Yllit.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.