VËLLAZNIMI FITON NË MITROVICË, NJË PIKË LARG ”PLAY OUT”-IT
Prishtinë(AsistiOnline) – Vëllaznimi e ka fituar përballjen e vështirë ndaj Trepçës në kuadër të xhiros së 25-të në Superligën e Kosovës.
Gjakovarët kanë arritur fitore me shumë vlera në udhëtimin e tyre në Mitrovicë ndaj Trepçës me rezultatin përfundimtar, 68-78.
Ndeshja ishte shumë interesante me Vëllaznimin që i fitoi dy periodat e para(11-21, 16-19) dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat, 27-40 në favorin e mysafirëve.
Në pjesën e dytë, Trepça arriti ta fitojë çerekun e tretë, 23-16, për të mbajtur shpresa për përmbysje, por kundërpërgjigjja e Vëllaznimit erdhi në çerekun vendimtar të cilën lojtarët gjakovarë e fituan, 18-22 dhe nuk lejuan befasi për të arritur fitore shumë meritore.
Në këtë fitore të madhe të Vëllaznimit që edhe më tutje e mban në garë serioze për mbijetesë sonte u dalluan: Ty Nichols me 19 pikë, 8 kërcime e 8 asiste, Cedric Council e Robert Shestani me nga 18 pikë, ndërsa Atik Koshi shtoi 9 pikë.
Te Trepça s’mjaftuan për fitore: Drilon Hajrizi me 12 pikë, Dino Butorac e Ivan Koljeviç me nga 11 pikë e as Stavros Toutziarakis e Valdrin Haxhiu me nga 10 sosh.
Pas kësaj fitore, Vëllaznimi ngritet në kuotën e 33 pikëve me 8 fitore e 17 humbje. Ndërsa, Trepça mbetet e 6-ta me 35 pikë, 10 fitore e 15 humbje.
Në xhiron e ardhshme, Vëllaznimi e pret Yllin e Trepça i shkon Pejës.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.