Basketboll

DIELLZA DEKAJ ME QUADRIPLE-DOUBLE NË FITOREN E THELLË TË PRISHTINËS

Prishtinë(AsistiOnline) – KBF Prishtina e ka mbyllur stinorin e rregullt të Superligës së Femrave me fitore të thellë ndaj Kastriotit.

Vashat prishtinase kanë triumfuar në shtëpi ndaj atyre të Kastriotit nga Ferizaji, 100-43.

Ndeshja nuk kishte fare histori me Prishtinën që e dominoi krejtësisht atë e ajo çfarë bie në sy, është realizimi i shifrave magjike në basketboll apo dyshifrorit të katërfisht nga basketbollistja e re e Prishtinës, Diellza Dekaj.

Basketbollistja e re e Prishtinës, Dekaj në ndeshjen e sotme përballë Kastriotit, për 40 minuta lojë, pati plotë 34 pikë, 10 kërcime, 10 asiste e 10 vjedhje topash.

Sipas statistikave zyrtare të cilat i posedon, AsistiOnline.com, një gjë të tillë në basketbollin kosovar femëror e ka bërë vetëm një lojtare gjithashtu e Prishtinës, Era Shatri, për të cilën ASISTI kishte realizuar një storie të veçantë… (Kliko për ta parë).

Gjatë stinorit 2019/20, Era Shatri e Prishtinës në fitoren ndaj Kastriotit 116-46, kishte realizuar poashtu quadriple-double me 14 pikë, 10 kërcime, 10 asistime dhe 10 vjedhje topash.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.