DRITA ME SHUMË TELASHE, FITON GJYSMËFINALEN E PARË NDAJ MH PRISHTINËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Liderja e pjesës së rregullt të stinorit në Ligën e parë, RC Cola Drita e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale ndaj Marigona Hill Prishtinës.
Gjilanasit triumfuan ndaj kryeqytetasve me vështirësi tejet të mëdha dhe me rezultat final, 88-82.
Marigona Hill Prishtina e nisi shumë më mirë ndeshjen, duke fituar dy periodat e para të ndeshjes(21-23, 17-26) dhe shkoi në pushim me avantazh 38-49.
Por në pjesën e dytë, Drita u mobilizua dhe përmbysi avantazhin, duke fituar shumë thellë çerekun e tretë 35-13 dhe kjo në fakt ishte përcaktuese për fituesin e duelit, pasi MH Prishtina përkundër se fitoi çerekun e fundit(15-20), nuk mundi ta rikuperojë krejtësisht minusin e çerekut të tretë dhe kjo i kushtoi me disfatë.
Amerikani Xzavier Barmore si zakonisht ishte më i dalluari te gjilanasit me 21 pikë, Arian Mehmeti realizoi double-double(16pk, 20krc), Bardh Jakupi kishte 15 pikë, Qëndrim Demi 14 e Rinor Ahmeti 12 sosh.
Te MH Prishtina s’mjaftuan për fitore: Arbnor Haliti me 30 pikë, Ilir Hasani me 23 pikë e Aron Laja me 16 sosh.
Me këtë fitore, Drita e merr avantazhin e serisë gjysmëfinale të ”play off”-it dhe i duhet vetëm edhe një fitore për ta arritur finale.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.