Basketboll

SOT FINALJA E LIGËS UNIKE, DY SKUADRA KOSOVARE NË LUFTË

Prishtinë(AsistiOnline) – Sonte do të luhet finalja e madhe e Ligës Unike të basketbollit e krijuar mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në fakt sivjet që ishte edhe debutimi i kësaj gare, organizatorët vendosën të mbahet vetëm në formë turneu shkaku i gjendjes pandemike, ndërsa në vitet në vazhdim si ligë e plotë.

Fati ka deshtur që në finalen e sivjetme të Ligës Unike që luhet sot të përballen dy skuadra kosovare, Peja dhe Golden Eagle Ylli.

Pejanët arritën në finale të garës, pas fitores së mundimshme ndaj Rahovecit me rezultat 71-73 dhe sot kërkojnë fitimin e trofeut që do të ishte historik.

Në anën tjetër, finalisti i dytë Golden Eagle Ylli zbarkon në finalen e madhe pas fitores ndaj Goga Basketit nga Shqipëria 74-86 dhe sot kjo skuadër kërkon trofeun e parë në histori të klubit.

Ndeshja zhvillohet në Palestrën ”Dhimitraq Goga” në Durrës. Për shkak të masave anti-Covid, takimi do të zhvillohet pa praninë e tifozëve, përkundër interesimit të jashtëzakonshëm.

Ndeshja do të nisë nga ora 19:00 dhe transmetohet direkt në Platformën më ekskluzive në vend, Art Motion, kurse rezultatin LIVE pas çdo çereku, por edhe raportin final të ndeshjes, mund ti gjeni në portalin ekskluziv-basketbollistik, AsistiOnline.com

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.