Basketboll

PËRBALLJET MES DRITËS DHE ISTOGUT SIVJET KANË QENË TEPËR INTERESANTE…

Prishtinë(AsistiOnline) – Rc Cola Drita dhe Istogu, përballen sot në ndeshjen e parë finale të ”play off”-it të Ligës së Parë dhe pritet të zhvillohet luftë e madhe për të nisur serinë në mënyrë pozitive.

Këto dy ekipet sivjet janë takuar 3 herë, ku në të trija duelet ka ngadhënjyer skuadra nga Gjilani edhe pse me rezultate tepër të ngushta.

Drita e ka mposhtur Istogun në të dyja takimet e vlefshme për stinorin e rregullt të Ligës së parë. Fillimisht në xhiron e 8-të si mysafire me rezultat maksimalisht të ngushtë 85-86. Rinor Ahmeti kishte qenë më efikasi në fitoren e ekipit të drejtuar nga Gyltekin Selimi në këtë duel me 26 pikë. Te Istogu ishte dalluar, Diamant Shabani me 25 pikë.

Ndërsa fitoren e dytë në ligë, gjilanasit e kanë arritur në javën e 17-të me rezultat tejet të ngushtë poashtu 87-85. Te Drita në këtë fitore u patën dalluar, Xzavier Barmore me 35 pikë e 6 kërcime dhe Qëndrim Demi me 23 pikë e 5 asistime. Te Istogu s’patën mjaftuar, Diamant Shabani me 21 pikë e 12 kërcime dhe Mirlind Zekaj me 20 pikë e 11 kërcime.

Ndërsa në ndeshjen e tretë e zhvilluar në Therandë dhe e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës së Ligës së Parë, Drita poashtu kishte mposhtur Istogun 64-69. Duel në të cilin kishte spikatur, Xzavier Barmore me 12 pikë e te Istogu, Fisnik Juniku me 22 sosh.

Dueli i sotëm mes Dritës dhe Istogut fillon nga ora 17:00 dhe transmetohet direkt në Artmotion.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.