Basketboll

UTAH JAZZ I REVANSHOHET KAMPIONËVE NË FUQI, TRIUMFOJNË NË STAPLES CENTER!

Prishtinë(AsistiOnline) – Liderët e konferencës perëndimore, Utah Jazz arrijnë të fitojnë për herë të dytë këtë sezon ndaj LA Lakers duke fituar me rezultat 111-97. Kjo fitore erdhi si revansh ndaj disfatës që pësuan djelmoshat e Quin Snyderit në ndeshjen e kaluar kur Lakers triumfuan në overtime me rezultat 127-115. 

 

Saktësia nga dyshet me 57.3% dhe nga treshet ku Xhezerët shënuan 15 treshe nga 33 tentime ishin faktorët kryesor pse skuadra në krye me Quin Snyderin fituan këtë takim.

 

Rudy Gobert dhe Mike Conley e mbyllën ndeshjen me double double. Qendra franceze natën e mbylli me 14 pikë e 10 kërcime që ishte dyshifrori i dyfishtë numër 40 këtë sezon. Ndërsa nga ana tjetër, për Mike Conleyn ky ishte double double numër 6 këtë sezon me 14 pikë e 10 asistime. Ndërsa Clarkson e Ingles ishin koshashënuesit më të mirë. Dyshja në këtë ndeshje realizuan sëbashku 43 pikë. 

 

Nga ana tjetër, pavarësisht humbjes, Talen Horton-Tucker pati mbrëmjen më të mirë personale. Numri 5 i Lakers shënoi plotë 24 pikë që ishte edhe më e larta në karrierën e tij. Ai kontroboi edhe me 4 kërcime e 2 asistime.

 

Me këtë fitore, Utah mbetet në vendin e parë me 43 fitore e 15 humbje ndërsa kampionët në fuqi janë në vendin e 5 me 35 fitore e 23 humbje.

/AsistiOnline.com/

https://www.youtube.com/watch?v=YueASOkYRK0

Komentet janë të mbyllura.