Basketboll

BESIM MAXHUNI EMËROHET TRAJNER TE SKUADRA NGA LIGA E PARË FINLANDEZE

Prishtinë(AsistiOnline) – Ish-basketbollisti i spikatur kosovar dhe tash trajner tejet i respektuar, Besim Maxhuni ka marrë drejtimin e një skuadre të re.

Maxhuni është emëruar trajner i parë i ekipit ”Raiders Basket” që garon në Ligën e parë të basketbollit finlandez, një nivel pas Superligës.

52 vjeçari nga Mitrovica pritet të marrë drejtimin e ekipit në fjalë edhe zyrtarisht që nga muaji maj dhe për faqen zyrtare të klubit, ai është shprehur tejet i kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshje, duke besuar se së bashku do ti arrijnë qëllimet e klubit.

Ndjenjë e shkëlqyeshme për t’u bashkuar me Raiders Basket. Qëllimi im çdo vit është të shkoj përpara dhe të tregoj se çfarë mund të bëj. Pas pesë vitesh në HyPo, doja të përjetoja një përvojë të re”, është shprehur Maxhuni.

Në karrierën disa vjeçare si trajner, Maxhuni ka punuar kryesisht në basketbollin finlandez me gjeneratat e reja e në pesë vitet e fundit e ka drejtuar skuadrën seniore të femrave, ”HyPo”.

Të kujtojmë se Besimi është babai i njërit prej basketbollistëve shqiptarë më të suksesshëm që luajnë aktualisht nëpër botë, Edon Maxhuni.

Familja e Besim Maxhunit prej vitesh jeton dhe vepron në shtetin e Finlandës.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.