Basketboll

SA HERË JANË TAKUAR, PONTE PRIZRENI DHE PEJA NË HISTORI DHE CILI ËSHTË BILANCI I NDESHJEVE

Prishtinë(AsistiOnline) – Ponte Prizreni dhe Peja ndeshen sonte në ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale të ”play off”-it të Superligës së Kosovës.

Duelet mes këtyre dy skuadrave datojnë rishtazi me Ponte Prizrenin që ishte futur në elitë në edicionin 2018/19, por atë kohë Peja nuk ishte pjesë e garave për rrethana tashmë të ditura.

Duelet mes Pejës dhe Ponte Prizrenit, datojnë nga edicioni i kaluar 2019/20 dhe deri më tani janë zhvilluar vetëm 9 përballje mes këtyre dy skuadrave.

6 fitore i ka skuadra e Ponte Prizrenit, ndërsa 3 të tjera i takojnë ekipit të Pejës.

Në stinorin e sivjetmë këto dy ekipe janë takuar katër herë, 3 fitore kanë korrur prizrenasit e vetëm 1 pejanët.

Fitoren më të thellë ndaj Pejës, Ponte Prizreni e ka arritur pikërisht në ndeshjen e fundit të zhvilluar në ”Karagaç” më 18 mars 2021 me 17 pikë diferencë, 97-115. Duel në të cilin kishte spikatur, Divine Myles me 31 pikë e 8 asiste e te Peja ishte dalluar, Dardan Berisha me 26 pikë.

Ndërsa edhe Peja, fitoren më të thellë ndaj Ponte e ka sivjet me 4 nëntor 2020, poashtu si mysafire me 16 pikë dallim apo 74-90. Amel Kuljuhovic kishte spikatur në këtë fitore për verdhezinjët e te Prizreni ishte dalluar, Arti Hajdari me 19 pikë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.