Basketboll

TREPÇA SIGURON SUPERLIGËN PËR STINORIN 2021/22

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Trepçës e ka siguruar mbijetesën në elitën e basketbollit kosovar sot edhe zyrtarisht me fitoren ndaj Istogut.

”Minatorët” kanë triumfuar në shtëpi ndaj Istogut edhe në ndeshjen e dytë të ”play out”-it me rezultat të përgjithshëm të takimit 94-85.

Ndeshja e sotme ishte tejet interesante me Trepçën që e zotëronte avantazhin(21-16, 22-21, 20-25. 31-23), por që Istogu vazhdimisht luftonte dhe nuk lejonte shkëputjen e në fund, mitrovicasit iu gëzuan fitores me meritë.

Në fitoren e sotme të Trepçës pikë dyshifrore arritën, Dino Butorac e Besnik Azemi me nga 17 pikë, Drilon Hajrizi e Burim Zekiqi me nga 15 pikë, si dhe Stavros Toutziarakis me 13 sosh.

Te Istogu lojë të bukur shfaqën, Diamant Shabani e Ardit Pepaj me nga 26 pikë, si dhe Mirlind Zekaj me 15 sosh.

Mitrovicasit kishin mposhtur Istogun edhe në ndeshjen e parë në ”play out” 70-99.

Me dy fitore rresht në ”play out” ndaj Istogut, Trepça do të garojë edhe në stinorin e ri në Superligën e Kosovës, ndërsa Istogu do të bëjë gara përsëri në Ligën e parë.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.