HISTORIKE: YLLI PËR HERË TË PARË NË FINALE TË SUPERLIGËS SË KOSOVËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Golden Eagle Yllit është finalisti i parë i ”play off”-it të Superligës së Kosovës te meshkujt për edicionin 2020/21.
Therandasit kanë triumfuar ndaj Rahovecit në ndeshjen e pestë të serisë gjysmëfinale 72-85 dhe e cila fitore sonte ishte vendimtare për ta përcaktuar finalistin.
Ndeshja e sontme ishte jashtëzakonisht interesante, ashtu sikurse e tërë kjo seri gjysmëfinale me Yllin që e fitoi çerekun e parë të duelit 19-23. Ndërsa, çereku i dytë i duelit u mbyll baraz 15-15 dhe ekipet shkuan në pushim mes pjesëve me epërsi të Yllit(34-38).
Në pjesën e dytë, Rahoveci e filloi pak më mirë duke e fituar çerekun e tretë ngushtë 23-21, por kundërpërgjigjja e Yllit erdhi shpejtë me lojtarët e trajnerit Adis Beqiragiq u treguan shumë më vigjilentë se ata të Takianos dhe fituan edhe periodën vendimtare(15-26) e cila ju solli fitoren e madhe.
Elyjah Clark ishte enigmë e pazgjidhur për ‘vreshtarët’ sonte me 28 pikë(8 trepikësha) i ndihmuar nga Erjon Kastrati me 24, si dhe Demetris Morant e Gëzim Morina me nga 12 sosh.
Te Rahoveci s’mjaftuan për fitore, Darrell Davis me double-double(29pk, 11krc), Ed Dnaiel me 21 pikë dhe Alban Veseli me 13 sosh.
Kjo fitore e dërgon Golden Eagle Yllin në finale të Superligës së Kosovës, por ende nuk dihet se kush do të jetë kundërshtar i tyre në finale, për shkak se ndeshja mes Prizrenit dhe Pejës është pezulluar dhe ende nuk dihet për fatin e saj.
Vlen të ceket se Ylli mposhti Rahovecin në këtë seri gjysmëfinale me bilanc të përgjithshëm 2-3. Dhe për herë të parë në histori të klubit, therandasit mbërrijnë në finale të elitës kosovare.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.