Basketboll

KY ËSHTË VENDIMI I FBK-SË, PËR ANKESËN E PEJËS PËR WALTERS & WALTON

Prishtinë(AsistiOnline) – Në sajtin zyrtar të FBK-së, sot është publikuar vendimi për ankesën e KB Pejës për lojtarët e saj, Brandon Walters e A.J Walton.

Komisioni Arbitrar i FBK-së e ka marrë parasysh pjesërisht ankesën e klubit pejan, duke ia hequr dënimin qendrës, Brandon Walters, ndërsa ai i A.J Walton mbetet në fuqi:

Në vijim ju sjellim vendimin e komisionit në fjalë të plotë dhe pa ndërhyrje:

Bazuar në Rregulloren për Punën e Komisionit të Arbitrazhit të Federatës së Basketbollit (FBK), të datës 19.02.2017, Rregulloren Disiplinore të FBK-së të datës 06.09.2008, dhe Propozicionet e Garave (Edicioni Garues 2020/2021), si dhe në bazë të Ankesës së KB Peja të datës 06.05.2021, Komisioni i Arbitrazhit të FBK-së, me datë 07.05.2021 merr ketë:

V E N D I M

  1. Shpallet e PRANUESHME Ankesa e KB Peja e datës 06.05.2021;
  2. APROVOHET PJESËRISHT Ankesa e KB Peja e datës 06.05.2021;

III.  ANULOHET Pika 9 e Vendimit të Komesarit të Garave Nr. 266 i datës 05.05.2021, përkitazi me z. Brandon Walters;

  1. MBETET NË FUQI Pika 10 e Vendimit të Komesarit të Garave Nr. 266 i datës 05.05.2021, përkitazi me z. AJ Walton.

A R S Y E T I M

Me datë 06.05.2021, Komisioni i Arbitrazhit të FBK, përmes postës elektronike, nga sekretarja e FBK, ka pranuar Ankesën e KB Peja të datës 06.05.2021 (tash e tutje “Ankesa”), e cila ka të bëjë me Vendimin e Komesarit të Garave Nr. 266 i datës 05.05.2021 (tash e tutje “Vendimi”), lidhur me incidentin e ndodhur më 04.05.2021 në mes të KB Peja dhe KB Ponte Prizreni. 

Në këtë kuadër, Komisioni Arbitrazhit, ka mbajtur dy takime, përkatësisht më datë 06.05.2021 dhe 07.05.2021, dhe ka trajtuar Ankesën e KB Peja, si dhe provat e tjera që janë pjesë e dosjes së lëndës.

KB Peja në Ankesë sfidon pikat 9 dhe 10 të Vendimit, që ndërlidhen me lojtarët Brandon Walters (KB Peja) dhe AJ Walton (KB Peja), duke cilësuar veprimet e tyre si akte të vetëmbrojtjes, në përputhje me Nenin 13 të Rregullores Disiplinore të FBK-së. 

Komisioni i Arbitrazhit gjatë trajtimit të lëndës ka shqyrtuar të gjitha provat dhe ka konstatuar si në dispozitiv, për arsyet në vijim. 

Nga provat përkatëse, e veçanërisht video incizimet e incidentit, shihet qartë se z. Brandon Walters sulmohet fizikisht nga dikush nga turma e personave të mbledhur afër daljes nga salla. Në reagim të goditjes së pranuar, dhe në vetëmbrojtje, si të cilësuar nga Komisioni i Arbitrazhit, është përfshirë në përleshjen që kishte pasuar.  Rrjedhimisht, Komisioni konsideron se veprimet e z. Walters ishin brenda proporcionalitetit të paraparë sipas Nenit 13 të Rregullores Disiplinore. Prandaj, Komisioni vlerëson dhe vendosë që Pika 9 e Vendimit të Komesarit të Garave të anulohet dhe z. Brandon Walters t’i lejohet vazhdimi i angazhimit në KB Peja pa pengesa. 

Në anën tjetër, po të njëjtat prova tregojnë se z. AJ Walton është përfshirë në përleshjen në fjalë, dhe sipas video incizimeve, shihet qartë se ka tejkaluar masën e përdorimit të forcës proporcionale që lejohet sipas Nenit 13 të Rregullores Disiplinore, duke vazhduar përleshjen edhe pas ndërhyrjes së personave zyrtar. Pra, nga provat  shihet se lojtari në fjalë vazhdon përleshjen edhe pas krijimit të mundësisë për tërheqje dhe insiston në vazhdimin e ballafaqimit fizik. Rrjedhimisht, Komisioni vlerëson dhe vendosë q Pika 10 e Vendimit të Komesarit të Garave të mbetet në fuqi dhe z. AJ Walton të zbatojë ndëshkimin e shqiptuar nga Komesari i Garave në Pikën 10 të Vendimit të tij.

Prandaj, Komisioni i Arbitrazhit duke u mbështetur në atë që u tha më lart, vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.