GOLDEN EAGLE YLLI SHPALLET KAMPION I KOSOVËS PËR EDICIONIN 2020/21
Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli nga Theranda është kampion i Kosovës për edicionin 2020/21 në basketbollin e meshkujve.
Skuadra verdhezi nga qyteti i Therandës sonte mposhti edhe në ndeshjen e tretë rresht të finales, Pejën me rezultat të përgjithshëm 67-70 dhe kështu fitoi titullin e parë në histori të klubit.
Peja e nisi më mirë këtë duel, duke fituar periodën e parë 24-14, ndërsa perioda e dytë i takoi Yllit që e fitoi atë ngushtë 17-20 dhe skuadrat shkuan në pushim me avantazh të Pejës(41-34).
Në pjesën e dytë u zhvillua lojë e fortë dhe dallimi kryesor u bë në periodën e tretë me Yllin që e fitoi atë dukshëm më mirë 13-23. Ndërsa në periodën e fundit(13-13), përkundër se u luftua shumë sidomos nga ekipi i Pejës, nuk u arrit mbajtja e avantazhit nga pjesa e parë dhe fitorja historike i takoi Yllit.
Katër basketbollistë arritën pikë dyshifrore në fitoren historike të Yllit sonte: Elyjah Clark(19), Erjon Kastrati(16), Samir Zekiqi(11) e Gëzim Morina double-double(10pk, 10ast).
Te Peja s’mjaftuan për fitore, Dardan Berisha me 21 pikë, Brandon Walters me 18 pikë, si dhe A.J Walton e Lis Shoshi me nga 10 pikë.
Me këtë fitore dhe seri të përgjithshme 3-0, Golden Eagle Ylli nga Theranda shpallet kampion i Kosovës për edicionin 2020/21 në elitën e basketbollit kosovar.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.