MBYLLET NJËRI PREJ EDICIONEVE MË INTERESANTË TË PASLUFTËS NË BASKETBOLLIN E KOSOVËS
Prishtinë(Asistionline) – Gjatë kësaj jave të cilën jemi duke e lënë pas, është mbyllur përfundimisht edicioni 2020/21 në Superligën e Kosovës në Basketboll.
Luftë e madhe e përshkoi nga fillimi e deri në ndeshjen e fundit, këtë edicion të garave në elitën e basketbollit kosovar dhe besoni apo jo me 8 skuadrat e tabelës që luftuan për ”play off”.
Përkundër nisjes me vonesë të riorganizimit të skuadrave, por edhe shtyerjes së edicionit për pak kohë, për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, stinori kishte filluar më 28 tetor.
Fillimi nuk ishte aspak i lehtë, pak përgatitje e shumë ndeshje para vetes, si dhe një realitet i ri, sallat e zbrazura e pa publikë si pasojë e masave të marra nga institucionet shëndetësore në mbrojtje nga pandemia COVID-19 me të cilën po përballet i gjithë globi nga marsi i vitit të kaluar.
Ndeshje shumë interesante u zhvilluan në tërë stinorin e rregullt të elitës me ndërrime të shpeshta në tabelë dhe me Rahovecin që e përfundoi stinorin vjeshtor si kampion, por në pranverë gjërat ndryshuan, sepse skuadrat u përforcuan edhe më shumë e kjo bëri që në basketbollin e Kosovës të zhvillohej njëri prej edicioneve më interesante të pasluftës me shumë rivalitet e renditje tabelare të përzier.
Pas 28 xhirove të zhvilluara më 11 prill, mbyllet stinori i rregullt i Superligës me në krye të tabelës, ekipin simpatik, Ponte Prizreni si kampion i pjesës së rregullt dhe Rahovecin që ra në pozitën e dytë në pranverë. Të dyja këto skuadra shkuan direkt në gjysmëfinale të ”play off”-it.
Në katër vendet e fundit që zunë një vend në ”play off”, ishin: Golden Eagle Ylli, Peja, Sigal Prishtina dhe Bashkimi e në ”play out” për stinorin e dytë rresht luajti Trepça.
Nga Superliga për në Ligën e parë, ra Vëllaznimi i Gjakovës që përkundër këtij fakti e krijoi një standart të ri në basketbollin e Kosovës, duke qenë skuadra më e suksesshme ndonjëherë që bie nga elita.
Gjakovarët do të mbahen në mend, si një ekip që ka humbur statusin e anëtarit të elitës me më së shumti fitore të regjistruara gjatë stinorit të rregullt. Vëllaznimi e mbylli stinorin me 9 fitore, gjë të cilën nuk ka arritur ta bëjë asnjë skuadër tjetër e renditur në fund të tabelës, së paku jo nga paslufta.
RIKTHEHEMI TE PLAY OFFI:
Pas një edicioni të rregullt tepër interesant, garat e ”play off”-it në Superligë nisën më 18 prill me dy përballjet çerekfinale, Peja – Prishtina dhe Ylli – Bashkimi.
Në çerekfinalen e parë, Peja mposhti Prishtinën në seri të përgjithshme 2-1 dhe kaloi në gjysmëfinale aty ku u ndesh me Ponte Prizrenin. Në anën tjetër me seri të njejtë 2-1, Ylli mposhti Bashkimin për të kaluar në gjysmëfinale të ”play off”-it e ku u ndesh me Rahovecin.
Gjysmëfinalet e ”play off”-it, poashtu ishin të jashtëzakonshme dhe shumë interesante me luftë të madhe për një vend në finale.
Peja arriti që të eliminojë liderin, Ponte Prizrenin me seri të përgjithshme 2-3, pas ndeshjes së pestë e cila u regjistrua me rezultat zyrtar 0-20 në favorin e verdhezinjëve, shkaku i një përleshje fizike që kishte ndodhur në ndeshjen e fundit të serisë e komisioni diciplinor i FBK-së më pas kishte vendosur ta eliminonte nga garat, organizatorin e ndeshjes, Ponte Prizrenin dhe kështu Peja arriti finalen e madhe.
Në anën tjetër, gjysmëfinale edhe më interesante u zhvillua në debrin rajonal mes Rahovecit dhe Yllit, këta të fundit eliminuan nga gjysmëfinalja, Rahovecin që kishte avantazhin e terenit vendas në këtë seri, por kjo nuk e pengoi Yllin ti mposhte 2-3 në seri të përgjithshme dhe të kalonte në finalen e madhe.
Pas mbylljes së ndeshjeve gjysmëfinale, Peja dhe Ponte Prizreni ishin dy skuadrat që do të përballeshin në finalen e madhe të Superligës së Kosovës.
Peja e nisi serinë finale me përparësi të terenit vendas, shkaku që në gjysmëfinale e mposhti liderin e stinorit të rregullt, Ponte Prizrenin dhe i takoi ky avantazh.
Golden Eagle Yllit nga Theranda nuk i bëri fare përshtypje përparësia e terenit vendas të Pejës, sepse arriti që të shpallet kampion i Kosovës me bilanc të pastërt dhe perfekt 3-0 e më lehtë se që ishte pritur. Në fakt, ky epilog i arritur nga Ylli 3-0, nuk e pasqyron rezultatin final dhe të serisë, sepse në të trija ndeshjet, Peja luftoi shumë dhe dy nga tri ndeshjet finale u përcaktuan për vetëm nga një top.
Pas mbylljes së serisë finale, Golden Eagle Ylli shkruajti historinë 46 vjeçare të klubit, duke u shpallur kampion i Kosovës për herë të parë në histori dhe duke arritur atë që s’kishin mundur ta arrinin gjenerata të tëra në basketbollin therandas.
Me këtë seri finale u mbyll një edicion tejet i suksesshëm në basketbollin e Kosovës dhe me një pasqyrim real të gjithë asaj se çfarë ndodhi, gjatë tërë kohës nga emisioni dhe portali i vetëm në shqiptari, kushtuar ekskluzivisht basketbollit, ASIST dhe AsistiOnline.com
Për fund, grupi i mediave të pavaruara, ASIST – AsistiOnline.com dëshirojnë t’ju falenderojnë të gjithë juve shikues dhe përcjellës tanë besnik për ndjekjen dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj nesh e me urimet që edicioni i ardhshëm ta forcojë shumë basketbollin e Kosovës. #VazhdojmëFuqishëm
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.