PAS NJË LUFTE TË MADHE, DINAMO E MUJËS PËR 3 PIKË S’E ARRIN FINALEN
Prishtinë(AsistiOnline) – Përkundër luftës dhe grindës së madhe që shfaqi në parket, skuadra e Dinamo Tbilisit është eliminuar nga gjysmëfinalja e elitës gjeorgjiane të basketbollit.
Ekipi nga kryeqyteti gjeorgjian, që sivjet u drejtua nga ish-basketbollisti i spikatur dhe trajner shumë perspektiv, shqiptari nga Shkupi Muhammed Thaçi, është mposhtur në ndeshjen e tretë gjysmëfinale shumë ngushtë 86-84.
Luka Bulashvili me plotë 30 pikë, Alonzo Walker me 19 pikë e 10 kërcime, si dhe Tyler Williams me 15 pikë, s’mjaftuan Dinamon që të arrijë finalen sot.
Në anën tjetër tek fituesit u dalluan, Nika Chechelashvili e Tyler Green me nga 15 pikë secili.
Me këtë humbje dhe seri të përgjithshme 2-1, Dinamo Tbilisi e Mujo Thaçit u eliminua në gjysmëfinale të elitës gjeorgjiane, pas një lufte të madhe deri në këtë fazë.
Vlen të ceket se në 20 vitet e fundit, nuk ka ndodhur që në basketbollin e Gjeorgjisë një skuadër nga vendi i 7-të në tabelë të arrijë deri në gjysmëfinale e këtë e arriti Mujo Thaçi me ekipin e tij, duke shkruajtur historinë e epokës moderne të basketbollit atje.
Natyrisht që vetë arritja deri në këtë fazë për Dinamon do të thotë një triumf në vete, për faktin se këtë ekip sivjet shumë kush e kishte menduar që do të bie nga elita e atjeshme, por me punën e madhe që bëri me ekipin, Muja e dëshmoi të kundërtën dhe i heshti kritikët.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.