Basketboll

SHUMË SPEKULIME DHE ASGJË ZYRTARE, KJO ËSHTË SITUATA TE KAMPIONI I KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Në një edicion të jashtëzakonshëm dhe me përplotë spektakle në basketbollin e Kosovës, Golden Eagle Ylli u shpall kampion i Kosovës për stinorin 2020/21.

Therandasit fituan titullin e parë të kampionit në histori të klubit, duke ju gëzuar tejmase këtij suksesi i cili ishte historik për ta dhe sigurisht që ka vlerën e veçantë.

Trofeu i titulllit të kampionit të Kosovës nuk ishte i vetmi për therandasit këtë edicion, ata fituan edhe trofeun e edicionit të parë të Ligës Unike mes Shqipërisë dhe Kosovës, andaj ky edicion për klubin simpatik nga Theranda do të mbahet gjithmonë në mend si historik.

Ende pa kaluar as një muaj nga sukseset e mëdha të Yllit, kanë filluar thashethemet dhe spekulimet e ndryshme për të ardhmen e klubit. Për të sqaruar gjithë këto pikëpyetje, AsistiOnline.com kontaktoi me drejtorin sportiv dhe ikonën e klubit, Agron Berisha i cili e sqaroi situatën.

Ish-basketbollisti dhe trajneri i Yllit, tregoi se të gjitha këto aktualisht mbeten vetëm në kuadrin e spekulimeve dhe se asgjë zyrtare nuk ka, por që shumë shpejtë gjërat do të kristalizohen dhe një gjë është e sigurtë, se e ardhme e ndritur e pret Yllin.

Çdo ditë ka spekulime të ndryshme që na lidhin me kompeticionin e Ligës së Kampionëve dhe transfere të ndryshme, por aktualisht konkrete nuk ka asgjë. Ne si klub së pari do të mblidhemi me organet udhëheqëse e do të analizojmë gjithçka, njëherë e do ta shohim bugjetin e pastaj do të shohim dhe ta kompletojmë ekipin për gara. Sigurisht një ekip siç i ka hije kampionit dhe Therandës”, u shpreh ikona e klubit verdhezi.

Tek skuadra e Yllit është përfolur shumë së fundi, ardhja e Dardan Berishës, por vetë ky i fundit e ka mohuar kategorikisht së paku jo tash një transfer te therandasit, gjersa si spekulime janë përmendur edhe vazhdimi i kontratave me trajnerin, Adis Beqiragiq dhe lojtarët, Erjon Kastrati dhe Gëzim Morina.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.