PAK LËVIZJE ZYRTARE NË KLUBET KOSOVARE, TREPÇA E YLLI SKUADRAT MË AKTIVE!
Prishtinë(AsistiOnline) – Kur jemi në më shumë se dy muaj që nga përfundimi i edicionit 2020/21 në basketbollin e Kosovës, pak lëvizje janë bërë nga skuadrat tona në riorganizim për sezonin e ri, së paku zyrtarisht.
Në fakt disa skuadra kanë lëvizur në merkato, por që pjesa dërrmuese e tyre së paku jo zyrtarisht nuk kanë zbuluar asgjë dhe kjo mund të nënkuptojë se nuk ka ndonjë risi të madhe.
Skuadra e Trepçës sivjet aktualisht është ekipi më aktiv nga të gjitha skuadrat, realisht mitrovicasit vetëm se e kanë kompletuar rosterin për edicionin e ri garues.
Bullgari, Lumbomir Minchev do ta drejtojë ekipin nga bankina si trajner, derisa transferet e huaja(4) janë kryer me propozimin e tij, drejtuesit e klubit kanë shtuar në ekip edhe Samir Zekiqin e nuk përjashtohet mundësia që të transferohet edhe ndonjë vendor tjetër.
Risi ka pasur edhe te kampioni aktual, Golden Eagle Ylli ka vazhduar bashkëpunimin me trajnerin, Adis Beqiragiq, si dhe lojtarin Erjon Kastratin, derisa ka transferuar lojtarët, Mikaile Tmusiq e Ardit Pepaj, por edhe dy të huaj, Barret Benson dhe Rashun Davis. Nga rosteri i vitit të kaluar janë larguar, Valon Bunjaku e Samir Zekiqi.
Lëvizje zyrtare nuk ka pasur as te Peja, por që AsistiOnline.com me burime të sigurta pranë verdhezinjëve i ka konfirmuar ekskluzivisht disa ndryshime tek ta, rikthimin e trajnerit Shemsetin Bash dhe tre basketbollistët vendorë, Daniel Lekndreaj, Arian Qallaku e Sami Hajzeri të cilët pritet të paraqiten me fanelën e Pejës në stinorin e ri.
Nga një transfer zyrtarisht e kanë prezantuar edhe klubet nga Prizreni, Bashkimi e Prizreni-16, portokallinjët kanë zyrtarizuar Valon Bunjakun e bardhezinjët, Rilind Krasniqin.
Skuadra më e trofeshme në vend, Sigal Prishtina deri më tani e ka zyrtarizuar vetëm një ndryshim, ardhjen e trajnerit të ri. Bardhekaltërit kanë konfirmuar se në edicionin e ri, ekipit do ti prijë kroati, Ante Nazor.
As te skuadra e Rahovecit nuk ka pasur ndonjë ndryshim zyrtar, por që AsistiOnline.com ka marrë vesh se ‘vreshtarët’ pritet që edhe në stinorin e ardhshëm të drejtohen nga greku Fotis Takianos e për nga transferet nuk ka diçka konkrete dhe janë në vëzhgim e sipër.
Ekipi i inkuadruar në elitën e basketbollit të Kosovës nga Liga e parë, KB Drita ende nuk e ka zbuluar asnjë risi për edicionin e ri të garave edhe pse do të jetë në Superligë si ekip i ri dhe pritjet për të janë evidente.
Mbetet të shihet ditëve në vijim se cilat do jenë lëvizjet e rradhës së skuadrave kosovare në vazhdën e kompletimit për edicionin e ri.
AsistiOnline.com do ju mbajë të informuar në kohën reale, për gjithçka që do të ndodhë në basketbollin e Kosovës, andaj qëndroni me ne.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.