Basketboll

PRESIDENTJA E KOSOVËS VIZITON DHE MOTIVON PËRFAQËSUESEN E FEMRAVE

Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës A te femrat, sonte e ka pritur një mysafire speciale në kampin stërvitor të saj.

Vashat e Kosovës sot i ka vizituar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila me një fjalim domethënës i ka motivuar lojtare tona para sfidave ndërkombëtare.

“Është kënaqësi të jem sonte me ju. Jam e bindur se, me mundin, zellin dhe sakrificën që po bëni, do të përfaqësoni vendin në mënyrën më të mirë të mundshme. Në Qipro, edhe pse nuk jemi afër jush fizikisht, do të ju përkrahim maksimalisht. Me shumë punë, edhe suksesi do të arrihet. Ju përfaqësoni vendin tuaj. Përfaqësoni ngjyrat e shtetit të Kosovës. E di se është barrë e madhe, është barrë e dyfishtë. Gara nuk është për vetëm sport, por edhe më shumë. Jam e bindur që edhe ju, si vajzat tjera, me shumë përkushtim dhe krenari do të keni suksese. Për mua është kënaqësi të shoh punën e madhe të Lindës (Shala) dhe Elvirës (Dushku), që e njoh gjatë, por edhe të trajnerëve dhe të gjithë të tjerëve. Por edhe vajzat e mia dua të mësojnë nga ju. Atyre ju pëlqen basketbolli dhe shpresoj se do të ndjekin rrugën tuaj. Do të ju përcjellim gjatë ndeshjeve. Ju dëshiroj shumë fat e suksese. E meritoni plotësisht mbështetjen e institucioneve. Nëpërmjet sportit do të thyejmë barriera, që ne si politikë nuk i kemi arritur. Në Qipro, shpresoj do të shkëlqejmë si Republikë e Kosovës, të tregojmë se nuk jemi shtet vetëm në kuptimin politik, por edhe në kuptimin e talenteve në sport. Së bashku e Prindonin, me vajzat e mia dhe mbi të gjitha, me një popull të tërë, jemi pas jush”, ka thënë Vjosa Osmani, e cila ishte e shoqëruar nga burri i saj dhe dy vajzat.

Në fund Presidentes i janë dhuruar dy fanella dhe dy topa për vajzat e saj.

Kosova A për herë të parë në konkurrencën e femrave do të garojë në arenën evropiane. Vashat e Kosovës do të garojnë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që do të mbahet nga 20 deri më 25 Korrik në Qipro.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.