BARDH REXHA FLET PËR MOSPËRFSHIRJEN TE KOSOVA U-20, SI DHE TË ARDHMEN ME KLUBE
Prishtinë(AsistiOnline) – Ditën e djeshme u publikua 12-shja finale me të cilën Kosova U-20 te meshkujt udhëtoi në Sopron të Hungarisë, atje ku do të zhvillohet FIBA U20 European Challengers, nga 20 deri më 25 Korrik.
Nga shumë kush, lënia jashtë listës e kapitenit të Rahovecit, Bardhi Rexha u cilësua si befasi dhe e papritur, ndërsa në lidhje me këtë gjë por edhe zhvillime të tjera në karrierën e tij, AsistiOnline.com ka kontaktuar me Rexhën, duke realizuar një intervistë.
”Vendimi për lënien time jashtë 12-shes finale, mendoj se është vendim që duhet respektuar. Unë isha i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime për Kosovën dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë. I dëshiroj suksese Kosovës U20 në rrugëtimin e tyre”.
20 vjeçari ka qenë ndër lojtarët me formën më të lartë me ekipe gjatë edicionit të kaluar, por a mendon se ju ështe bërë e padrejtë me mos-përfshirjen në 12she e tregon vetë ai.
”E vërtetë është se kam pritur të jem pjesë e Përfaqësueses, megjithatë tash e kam fokusin te edicioni i ri, jam duke u përgatitur shumë dhe tash synimi është Kosova A, ku e kam tejet vështirë sepse ka shumë lojtarë kualitativë, por më pëlqejnë sfidat dhe e marr shumë seriozisht atë”, thotë Rexha.
E cilëson si të suksesshëm edicionin qe lamë pas në aspektin personal? Ka pasur paraqitje shumë pozitive sidomos me New Basketin, a beson ai që kjo do jetë shtytje e madhe në karrierë për të?
”E falenderoj shumë New Basketin për mundesinë që më dhanë ata, sepse luajta vazhdimisht dhe tregova formë të lartë falë edhe bashkëlojtarëve të mi. Ndërsa në Superligë nuk pata edicion aq të mirë, këtu ndikoi fokusi i klubit në luftën për titull, më shumë sesa në dhënien e hapësires për ne lojtarët vendas. Por, ai është kapitull i mbyllur për mua, tash po shikoj përpara dhe vetëm sezoni i ri ka rëndësi, vetëm ndeshja e rradhës ka rëndësi, jo ajo që lamë pas”.
Sa i përket të ardhmes me klube, Rexha tregon se a ka kontratë me Rahovecin apo i ka skaduar dhe a është në bisedime me ndonjë klub tjetër?
”Kontrata me klubin e Rahovecit më ka skaduar. Ende nuk jam kontaktuar nga klubi i Rahovecit për vazhdim të kontratës. Ofertat ekzistojnë nga disa klube, janë mjaftë serioze dhe ditëve në vijim do të vendoset gjithçka. Primar për mua do të jetë projekti basketbollistik dhe në fund të ditës do të zgjedh atë klub që ma ofron projektin më të mirë basketbollistik në mënyrë që sezoni i ardhshëm të jetë sezoni i shpërthimit tim, gjë për të cilën besoj në vete dhe po përgatitem pa u ndalur”, përfundon prononcimin basketbollisti nga qyteti i vreshtave.
Të kujtojmë se Bardhi ishte pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U-18 në vitin 2019, kur kjo e fundit kishte marrë pjesë në Evropianin e organizuar në Oradea të Rumanisë në Divizionin B dhe kishte pasur mesatare prej 5.7 pikëve e 5.3 kërcimeve për ndeshje.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.