Basketboll

KONJUHI SHKËLQEN, KOSOVA U16 FITON PËRSËRI THELLË

Kosova ka shënuar fitore të thellë ndaj Moldavisë 122:42 (34:15, 26:10, 37:3, 25:14), në kuadër të FIBA European Challenger për U16, që po zhvillohet në Prishtinë.

Kosova e nisi për mrekulli ndeshjen, duke dominuar në mbrojtje dhe në sulm, ndërsa aplikonte një lojë kolektive dhe agresive në mbrojtje. Kjo dha sukses, duke thelluar epërsinë minutë pas minute, derisa çerekun e parë e fiton me shifrat 34:15. Dardanët e rinj nuk e ndalën ritmin as në periudhën e dytë për të thelluar edhe më shumë epërsinë, kurse pjesën e parë e fiton 60:25.

Basketbollistët e rinj të Kosovës ishin të pandalshëm edhe në periodën e tretë, ku për 10 minuta lejuan kundërshtarin të shënojë vetëm tri pikë, ndërsa shënuan 37, duke bërë që rezultati në semafor pas 30 minutash të ishte 97:28. Kosova menaxhoi lojën edhe në 10 minutat e fundit dhe thelloi epërsinë edhe më shumë për të triumfuar 122:42. Te Kosova u dalluan Arlind Konjuhi me 26 pikë, Eris Zeneli me 22 dhe Rron Dahsyla me 9 pikë, 7 kërcime dhe 6 asistime.

Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Kosovën, pas asaj ndaj Maltës, duke kryesuar grupin, kurse të mërkurën (nesër) përballet me Gjibraltarin.

Komentet janë të mbyllura.