PALOKAJ FLET PËR ASISTIN, TREGON PSE ZGJODHI PRISHTINËN
Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollisti me prejardhje nga Kosova, por i lindur dhe rritur në Kroaci, Jan Palokaj sot është prezantuar edhe zyrtarisht si lojtar i Sigal Prishtinës.
20 vjeçari erdhi te Prishtina nga kampionja aktuale dhe njëherazit skuadra e madhe e Kroacisë, Zara e Zagrebit.
AsistiOnline.com gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një intervistë me Janin, duke biseduar për tema të ndryshme dhe në vijim ju ftojmë ta lexoni atë.
”Vendosa të vij këtu sepse klubi tregoi interes të madh që unë të vija dhe ndër arsyjet e forta ishte gjithashtu se kam punuar me trajnerin Nazor më parë, kështu që pashë një mundësi të mirë për mua këtu në Prishtinë”, tregon në fillim Palokaj.
Si u prit nga zyrtarët dhe shokët e klubit, basketbollisti me prejardhje nga Peja?
”Të gjithë në klub më mirëpritën vërtetë mirë, veçanërisht shokët e skuadrës që janë shumë të rinjë në moshë ashtu si unë dhe shpresoj që së bashku të arrijmë gjëra të mëdha”.
I pëlqen Prishtina? një vend i mirë për të jetuar përgjithmonë?
”Më pëlqen Prishtina deri më tani, ajo është me të vërtetë e mbushur me shumë të rinjë dhe shumë restorante të mira, por nuk kam plane të qëndroj përgjithmonë, por sigurisht që do mund të jetoja këtu”, shprehet basketbollisti i talentuar.
Palokaj ka prejardhjen nga Kosova, porse a ka pasur informacione për shtetin e Kosovës më parë, sepse ka lindur në Kroaci dhe natyrisht që i sheh gjërat ndryshe?
”Po, unë dija diçka për Kosovën para se të vija këtu dhe tani që jam këtu shoh shumë ngjashmëri me qytetin tim të lindjes Zagreb, por është gjithashtu një kulturë paksa e ndryshme këtu”, tregon ishi i Zarës.
I riu që ka qenë edhe pjesë e gjeneratave të reja të Reprezentacionit të Kroacisë, përgjigjet edhe në pyetjen se pse nuk vazhdoi me Zarën.
”Pas 2 viteve të mia në Zadar, klubi dhe unë nuk arritëm një marrëveshje që do të kënaqte të dyja palët, kështu që ne i dhamë fund bashkëpunimit tonë dhe mendoj se kjo ishte zgjidhja më e mirë”.
20 vjeçari tregon se a ishte e vështirë të pranonte të luante në Kosovë?
”Jo, unë e shoh këtë si një mundësi për të ndjerë atë që po luaj në një vend tjetër dhe mendoj se ardhja në Kosovë mund të jetë një hap i mirë përpara në karrierën time”, shprehet i bindur Palokaj.
Krejt në fund, ai tregon se cilat janë qëllimet me ekipin e Prishtinës, kur dihet se bardhekaltërit janë skuadra me më së shumti trofe këtu dhe tifozët e tyre janë mësuar të jenë gjithmonë në kërkim të trofeve?
”Qëllimet e mia dhe qëllimet e klubit janë pothuajse të njëjta, ne duam të fitojmë të gjitha kompeticionet ku garojmë e në veçanti Kampionatin dhe Kupën e Kosovës dhe vetëm kjo do të më bëjë të lumtur me këtë sezon”, përfundon intervistën Palokaj.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.