Basketboll

PEJA MPOSHT PRISHTINËN DHE ARRIN GJYSMËFINALEN

Prishtinë(AsistiOnline) – Peja është skuadra e dytë gjysmëfinaliste e Superkupës së Kosovës.

Verdhezinjët kanë mposhtur Sigal Prishtinën në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm të sfidës 83-76.

Ishte ky një duel tejet interesant ashtu edhe siç ishte pritur me Pejën që e filloi më mirë dhe triumfoi në çerekun e parë 23-14, por në pjesën e dytë ekipi prishtinas reflektoi dhe e fitoi të dytin 15-23 e skuadrat shkuan në pushim me rezultatin 38-37 për Pejën.

Në pjesën e dytë, Peja  u kthye përsëri te loja e mirë dhe fitoi çerekun e tretë 24-16, derisa perioda e fundit dhe vendimtare ishte shumë dramatike me Prishtinën që tentoi maksimalisht rikthimin(21-23), por nuk e arriti dhe Peja në fund iu gëzua fitores.

I rikthyeri Arian Qallaku ishte individi më i dalluar me shënime te Peja sonte me 18 pikë, derisa u ndihmua edhe nga Dardan Berisha me 17, Erdem Ilter me 16 e Henrik Shirko me 14 sosh.

Te Prishtina nuk mjaftuan assesi për fitore, Wendell Mitchell me 18 pikë, Muhamedali Janjeva me 14 e Jan Palokaj me 12 sosh.

Në gjysmëfinale të Superkupës së Kosovës, Peja takohet me Prizrenin 16.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.