VIDEO LAJM: BASHKIMI FITON DRAMËN NDAJ RAHOVECIT
ARTMOTION SUPERLIGA 2021/22 XHIRO 4
ARTMOTION SUPERLIGA: XHIRO 4
RAHOVECI – BASHKIMI 82:89
(AsistiOnline.com) – Bashkimi e ka fituar përballjen me Rahovecin si mysafir në Mizair Isma me rezultat 89:82.
Ishte kjo një ndeshje shumë e bukur dhe tejet interesante, gjatë të cilës prizrenasit ishin më të mirë në dy çerekët e parë ndërsa Rahoveci barazoi gjithçka në fund të 30 minutave duke e shndërruar ndeshjen në triler basketbolli në çerekun vendimtar.
Në fakt, ishte qendra Banyard (nr.14) ai i cili me dy gjuajte të lira, në fillim të çerekut të katërt i kaloi në epërsi prej 65:63 vreshtarët por menjëherë u përgjigj qendra e Bashkimit, King (nr.33) me dy penalet e tij për barazim rezultati dhe e filloi serinë prej 12 me 3 të cilën me treshe e vazhdoi Julien Luis (nr.0) (66-68) dhe e përmbylli Andi Shehu po ashtu me treshe për epërsi prej 7 pikëve (68-75) kur kishin mbetur edhe 5 minuta e 24 sekonda lojë deri në fund. Kjo seri doli të jetë vendimtare për fitoren e Bashkimit i cili triumfoi me pikërisht 7 pikë dallim.
Më meritori në fitore të Bashkimit edhe njëherë ishte Julien Lewis me 27 pikë, 8 kërcime e 4 asistime kurse pikë dyshifrore shënuan edhe 4 lojtarë tjerë. Immanuel King realizoi një tjetër dyshifror të dyfishtë, kësaj here me 15 pikë e 10 kërcime, Valon Bunjaku shtoi 12 pikë e 7 asistime dhe Anton Kazarnovski 11 pikë e 8 kërcime ndërsa, me 10 pikë e 6 kërcime kontribuoi Avi Tonner.
Nga ana tjetër, tek Rahoveci, shifra kozmike realizoi, Eric Davis Junior. 43 pikë ishte shifra e pikëve të tij në kte duel ndërsa qëlloi 6 treshe por fatkeqësisht për te dhe vreshtarët, i vetmi i cili e ndihmoi ishte qendra Nick Banyard me dyshifror të dyfishtë prej 15 pikëve e 13 kërcimeve kurse gjithë të tjerët dështuan.
Ndeshja ishte e barabartë në çerekun e parë deri 1 minut e 37 sekonda pa përfunduar 10 minutëshi I parë megjithatë seria prej 7-0 e Bashkimit ndikoi në shkëputjen e prizrenasve për 25:17.
Edhe pse çereku i dytë ishte më i niveluar epersia e krijuar në çerekun e parë ndikoi që Bashkimi në pushim të shkojë me epersi prej 9 pikëve dhe rezultatin 37:46.
Pushimi i bëri më mirë vreshtarëve të udhëhequr nga Eric Davis Junior që realizoi 17 nga 26 pikët e Rahovecit në këtë çerek për të hyrë në çerekun vendimtar me rezultat të barabartë 63:63.
Mjaft dramatik ishte 10 minutëshi i fundit ku prizrenasit u shkëputën deri në +9 por vreshtarët nuk u dorëzuan dhe 1 minut e 16 sekonda pa përfunduar dueli e ngushtuan maksimalisht rezultatin në 83:82 por nuk arritën të bëjnë më tepër pasi deri në fund prizrenasit u treguan më të vëmendshëm dhe me një seri 6-0 i dhanë fund dilemës së fituesit duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 82:89.
Kryetrajneri i Bashkimit, Branimir Paviq tha se pavarsisht që Rahoveci luftoi ekipi i tij e meritoi fitoren kurse strategu i Rahovecit, Fotis Takianos nuk ishte aspak i lumtur me ekipin e tij dhe sidomos me mbrojtjen në çastet vendimtare.
(DEKLARATAT E TRAJNERËVE MUND TI SHIKONI NË VIDEON MË POSHTË)
Në xhiron e rradhës Rahoveci udhëton tek Sigal Prishtina ndërsa Bashkimin e pret ndeshja e vështirë kundër liderit, Trepçës.
VIDEO : RAHOVECI – BASHKIMI
Komentet janë të mbyllura.